LHK “Ali Hadri”: 17 shkurti 2008 vulosi vullnetin e shumë brezave për pavarësinë e Kosovës

Kosova

LHK “Ali Hadri”: 17 shkurti 2008 vulosi vullnetin e shumë brezave për pavarësinë e Kosovës

Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Në prag të 12-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, uron gjithë qytetarët e saj për ditën e pavarësisë.

Duke përkujtuar se 17 shkurti është dita me e madhe në historinë e shqiptarëve të Kosovës, pasi aty u vulos vullneti i shumë brezave që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”  shpreh mirënjohje për dëshmorët, martirët, veprimtarët e atdhetarët dhe të pagjeturve që sakrifikuan jetën për këtë ditë të madhe të kombit shqiptar.

“Me ndjenjën e respektit kujtojmë dhe nderojmë gjithë ata ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me pushkën e tyre, mundësuan çlirimin e Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili është shembulli me i mirë se si duhet shërbyer atdheut dhe kombit. Sot, 12-të vjet pas, ju shprehim mirënjohje të veçantë gjithë atyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët me 17 shkurt 2008 miratuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, LHK “Ali Hadri” shpreh mirënjohje për të gjitha shtetet mike në krye me SHBA, të cilat 21-të vjet më parë ishin krah popullit shqiptar në kauzën për lirinë e çlirimin nga Serbia, si dhe 12 vjet më parë përkrahën dhe pranuan pavarësinë e vendit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat