Ujësjellësi falënderon Grupin për Mbrojtjen e Liqenit të Badocit

Kosova

Ujësjellësi falënderon Grupin për Mbrojtjen e Liqenit të Badocit

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 19:34
Liqeni i Badocit

KRU “Prishtina” ka falënderuar Grupin për Mbrojtjen e Badocit për punën e tyre në ruajtjen e këtij liqeni që për ujësjellësin është më së i nevojshëm këtë kohë.

Ky reagim vjen pas vendimit që mori sot ministri i Infrastrukturës dhe Mjedisit, Lumir Abdixhiku, që obligoi komunën e Prishtinës për anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore në rastin e kërkesës së ndërtimit të lagjes në afërsi të Badocit.

“Sot po diskutojmë të gjithë rreth liqenit të Badocit, rreth pasurisë më të madhe që kemi , rreth furnizuesit të 30% të konsumatorëve me ujë të pijshëm. Me mijëra njerëz u zgjuan në këmbë që ta mbrojnë dhe ta ruajnë këtë pasuri të pazëvendësueshme, në momentet më të volitshme, në momente kur ky liqe i bukur kishte nevojë për ta mbrojtur”, thuhet në deklaratë.

“Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina” sh.a. duke e përcjellë me vëmendje çdo diskutim rreth këtij liqeni, shfrytëzon rastin sot që të falënderojë -Grupin për mbrojtjen e liqenit te Badocit – që, falë përkushtimit dhe vendosmërisë së tyre, sot morëm të gjithë lajmin e shumëpritur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit z. Abdixhiku. Falënderojmë edhe shoqërinë civile dhe secilin bashkëpunëtorë që kishin dhe kanë synim, ruajtjen e kësaj pasurie të pamohueshme”.

KRU “Prishtina” dha edhe disa informata të historikut të këtij liqeni.

“Liqeni i Badocit është ndërtuar në vitin 1963-1965 nga KNI Dukagjini. Qëllimi i ndërtimit fillimisht ka qenë për destinim të ujitjes , ujë industrial për Kishnicë dhe maksimalisht 30 % e kapacitetit si furnizim me ujë për Prishtinën. Me zhvillimin e hovshëm të Prishtinës , është cilësuar shumë më e rëndësishme të ketë destinim 100% ujin e pijshëm. Kapaciteti maksimal trajtues i fabrikës së Badocit është 520 l/ s. Derisa, ai i Batllavës ka kapacitet maksimal trajtues 900 l/ s dhe fabrika në Shkabaj, ku uji fillestar merret nga liqeni i Ujmanit, me kapacitet maksimal trajtues prej 700 l/ s”.

“Duke i mbrojtur dhe ruajtur liqenet akumuluese, ne e ruajmë dhe mbrojmë shëndetin tonë. Dhurata më e mirë që mund t’ua lëmë brezit të ardhshëm është uji i pastër për pije”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat