Jahir Bahtiri, do të kujtohet përherë si edukator i dalluar i shumë brezave të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani“ të Podujevës

Kosova

Jahir Bahtiri, do të kujtohet përherë si edukator i dalluar i shumë brezave të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani“ të Podujevës

Nga: Arif Ejupi Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 12:50
Jahir Bahtiri -1950 - 2020

Pas një sëmundje të shkurtër dje ka ndërruar jetë Jahir Fejzullah Bahtiri,profesor i shumë brezave të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani"të Podujevës,dhe të Shkollës fillore të mesme të ulët “Zenel Hajdini"të Prishtinës.

Jahiri,lindi më 30 nëntor të vitit 1950,në lagjen Gjonaj të Vendenisit ( ish – Gllamnik) të Podujevës.

Ai,tetvjeçaren e kreu në shkollën e fshatit “Ganimete Tërbeshi”dhe në atë”Vëllazërim- Bashkim"të qytezës së Podujevës.

Më gjithë gjendjen e rëndë ekonomike me sukses të dalluar e përfundon edhe gjimnazin.

Pas përfundimit të shkollës së Mesme,meqenëse,kishte prirje të theksuara në Matematikë,  regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës,dega Matematikë – Fizikë.

Duke parë mungesën e mësimdhënësve të Matematikes,si 21vjeçar nis punën në gjimnazin “Aleksadër Xhuvani"të Podujevës,i nohur deri më,1991,si gjimnazi shoqëroro- gjuhësor”8 Nëntori".

Në këtë vatër të Arsimit llapjan,ai jep kontribut të jashtëzakonshëm,deri në fund të viteve të 80- ta.

Edhe pse dukshëm më i ri në moshë punoi me vullnet dhe pasion plot dy dekada,përkrah mësimdhënësve me përvojë si: Nexhmi Sejdiu, Abdullah Vokrri,Shefki Toplica,Ramadan Salihu,Latif Sadiku,Bajram Blaku,Kadri Kadriu,Shefki Krasniqi,Tefik Mehmeti,Sabri Rexhepi etj.

Gjithnjë i përmbajtur dhe modest lehtë dialogonte për probleme të shumëta me kolegë e nxënës. Haptas vërehej përkushtimi i tij ndaj nxënësëve hallexhinj,sidomos atyre që vinin nga fshatrat malore të Gallapit dhe Grykës së Pollatës.

Herë- herë në mungesë të mjeteve të transportit nxënësit e këtyre zonave edhe i humbnin orët e para të mësimit.

Jahir Bahtiri,si pedagog dhe humanist i vërtetë në marrëveshje me ta gjente kohën e përshtatshme për kompensimin e orëve të humbura.

Nxënësëve,që jetonin në qytezën e Podujevës,dhe në fshatrat përreth u sugjeronte që të jenë solidarë me shokët e tyre,të paktën ditëve të ftohta të dimrit,duke u ofruar atyre strehim,ngase në Podujevë,s'ekzistonte kurrfarë konvikti apo shtëpie nxënësish.

Ky problem u zgjodh vetëm atëherë kur në Orllan dhe Kërpimeh,u hapën paralele të ndara në kuadër të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani “të Podujevës.

Më,1975- 1976 profesor,Jahir Bahtiri,ishte kujdestar klase i paraleles së-IV- 4,në gjimnazin e Podujevës,ku bënte pjesë edhe Ali Adem Ajetit,hero i kombit,i rënë në betejë me forcat pushtuese serbe më,30 maj 1989.

Profesor,Bahtiri,vitin e kaluar duke i evokuar kujtimet e tij,autorit të kësaj nekrologjie për ish- nxënësin e tij Ali Ajeti, i pati deklaruar “Ndihem i privilegjuar që kisha një nxënës si Aliun.” Vërtëtë ai kishte tiparet e studiuesit dhe udhëheqësit të dalluar”. Meqë,Aliun e njoha nga afër këto që i them janë origjinale dhe pa glorifikime ”.

 

 

Duke u munduar të kujtoj edhe momente nga Mbrëmja e Maturës,së fundmajit 1976,me ish- nxënësit e tij,e posaçërisht me Aliun,të organizuar atëkohë në ambientet e gjimnazit e tradhtojnë lotët,dhe rrëfimi mbetet i përgjysmuar.

Deri me pavarësimin definitiv të Kosovës,nga Serbia,gjendja në Arsim ishte tepër e rëndë,dhe gjithçka bëhej në baza vullnetare.

Jahiri,që tërë forcën e tij  prej intelektuali e kishte përqëndruar në aftësimin dhe edukimin e brezave, në vitet e 90 – ta,krijon marrëdhënie pune në Shkollën “Zenel Hajdini”të Prishtinës.

Edhe pse pa të ardhura jep çdo gjë nga vetvetja vetëm që ta ruajë mësimin në Gjuhën shqipe,të cilin gati çdo ditë e kërcënonin pushtuesit serbë,me vënje të dryrit.

Edhe në mjedisin e ri Jahir Bahtiri, gëzonte respekt të veçantë,si nga nxënësit,prindërit dhe kolegët e tij.

Andaj,lajmi mbi vdekjen e tij u prit si në Prishtinë,ashtu edhe në Llap,me dhembje dhe pikëllim të thellë.

Varrimi i të ndjerit Jahir Bahtiri,veteran i Arsimit të Kosovës,u bë dje pasdite në varrezat e familjes Bahtiri – Syla,të fshatit Vendenis të Podujevës.Familje këto prej dy vëllezërve,dhe të të njëjtit trung gjenealogjik.

Pjesëmarrjen aq masive të njerëzve në ceremoninë e varrimit në emër të familjes e përshëndeti i biri, Dr.Elton Bahtiri,mësimëdhënës i Fakultetit të Mjekësisë,në Universitetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat