Me rastin e përvjetorit të rënies të Besnik (Muharrem) Restelicës

Kosova

Me rastin e përvjetorit të rënies të Besnik (Muharrem) Restelicës

Nga: Zymer Mehani Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 09:21
Besnik (Muharrem) Restelica

Dëshmori Besnik Restelica u lind në një familje të njohur atdhetare, në Besianë. Prindërit e tij, (nënë Xhezidja dhe babë Muharremi) i kishin gjashtë fëmijë, dy vajza (Magbulja dhe Shpresa) dhe katër djem (Enveri, Besniku, Bedriu dhe Fahriu). Që nga fëmijëria Besniku njihej me emrin përkëdhelës – Daluku, me të cilin e thërrisnin të afërmit dhe shokët e tij, dhe kështu, me këtë emër njihej në qytet e më gjerë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Besianë me sukses të shkëlqyeshëm, ndërsa studimet i bëri në Fakultetin Xehetaro – Metalurgjik, në Mitrovicë. Diplomoi në degën e Xehetarisë më 13.06.1996, ku mori titullin Ingjinier i diplomua i xehetarisë.
Rrugën atdhetare e trashëgoi nga babai Muharremi, i cili ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1968. Për këtë shkak ai ishte vazhdimisht nën vëzhgimin e UDB-së.
Veprimtarinë e tij atdhetare, Besniku e zhvilloi gjatë viteve 1989-1990, kur organizoheshin demonstrata kundër okupatorit serb. Ai në ato aktivitete liridashëse ishte njëri nga pjesëmarrësit më aktivë, sidomos të demonstratave që zhvilloheshin në Besianë, në Prishtinë dhe në Mitrovicë.

Gjatë studimeve, në Mitrovicë, në vitin 1995, Besnik Restelica iu bashkua radhëve të UÇK-së, së bashku me Asllan Selimin nga Açareva. Besniku gjatë kësaj kohe veprimtarinë e tij atdhetare e zhvilloi në Zonën Operative të Drenicës, deri në vitin 1997. Ai mori pjesë në shumë aksione që zhvilloheshin asokohe në këtë zonë kundër okupatorit shekullor.

Besniku dallohej me zgjuarsinë e tij. Ai dinte të ofrohej me hallexhinjtë dhe dinte të gjente gjuhën e përbashkët me ta dhe i inkurajonte me fjalë shpresëdhënëse se së shpejti do të krisnin pushkët e lirisë dhe populli njëherë e përgjithmonë do ta fitojë lirinë dhe nga këto troje të Dardanisë do ta shporrë okupatorin.

As veprimtaria e Besnikut nuk i shpëtoi syrit të armikut dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ai kishte qenë në përcjellje në çdo hap, deri në ditën e arrestimit, në shtëpinë e tij, në Besianë.

Shokët e tij thonë se familja dhe shtëpia e Besnik Restelicës ishte bazë besnike e luftëtarëve të UÇK- së. Në këtë familje UÇK – ja kishte një ndër bazat më të sigurta.
Në kohën kur ishin krijuar kushtet që Besniku t’u bashkëngjitej formacioneve të Zonës Operative të Llapit, të udhëhequr nga komandant Zahir Pajaziti, në kohën kur duhej të dëgjohej edhe më fuqishëm pushka e Besnik Restelicës, UDB – ja e arreston Besnikun me disa shokë të tjerë.

Ishte 30 janari i vitit 1997, aty rreth orës 4 para mëngjesit, 50 – 60 policë të armatosur deri në dhëmbë e rrethojnë shtëpinë e Besnik Restelicës. Atë natë në shtëpinë e tij ishte mysafir edhe shoku i tij, Sylejman Jashari, me të cilin kishin biseduar gjatë tërë natës dhe sigurisht kjo nuk u kishte shpëtuar pa e vëzhguar bashkëpunëtorët e okupatorit. Lidhur me këtë, vëllai i Besnikut, Fahriu shprehet se atë natë, në shtëpinë tonë ishte Sylejman Jashari, një shok i Besnikut, dhe ne s’kishim bërë gjumë tërë natën. Rreth orës 4 dëgjojmë të lehurat e qenve, dhe menjëherë edhe përplasjen e dyerve me tërbim. Dola jashtë dhe shoh plot policë, që futeshin me nxitim në oborrin e shtëpisë sonë. U ktheva brenda e i them babë Muahrremit: “ Babë, shkiet na kanë rrethue, janë nja 50 – 60 veta.” Pa arritur te dhoma, ku po pushonin Besniku e Sylejmani, policët na rrëmbyen mua dhe babanë dhe na i vunë prangat në duar dhe na nxorën jashtë në oborr. Rreth 20 minuta na mbajtën të shtrirë përtokë në atë acar dhe dëborë. Dëgjonim zërin e motrës Magbule, e cila po protestonte kundër policëve. Deri në orën 7, policët përmbysnin çdo gjë në shtëpinë tonë, ndërkaq Besnikun dhe Sylejmanin i kishin lidhur me pranga dhe ua kishin vënë nga një thes të zi mbi kokë, dhe me qyta e kondakë pushkësh i torturonin, duke u thënë: “Tregoni ku i keni fshehur armët?”

Nga aty Besnikun e dërgojnë bashkë me shokun e tij në Burgun e Prishtinës, ku ka qëndruar 25 ditë duke iu nënshtruar torturave më çnjerëzore, të cilave u qëndroi dhe për asnjë çast nuk u ligështua.

Besniku u arrestua, kur çdo gjë ishte gati që të binte në kontakt me komandantin e ZOLL-it, Zahir Pajaziti dhe të vazhdonte aktivitetin në masivizimin dhe shtrirjen UÇK-së në të gjitha pjesët e Llapit. Pra, u arrestua një ditë para se të binin Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Pestovë të Vushtrrisë.

Me arrestimin e Besnik Restelicës, UÇK – së iu shkëput një hallkë shumë e rëndësishme dhe iu nda nga gjiri i saj njëri ndër bijtë më të devotshëm, por edhe pse u arrestua dhe u torturua mizorisht nga barbarët serbë, ai nuk u ligështua as u thye, po qëndroi heroikisht, ashtu siç ishte i fortë dhe i vendosur të qëndronte para torturave, pa nxjerrë asnjë sekret për shokët dhe për organizmin e UÇK – së.

Dhuna e xhelatëve fashistë shkoi deri aty, sa Besnikut ia morën edhe jetën, por pa e thyer dhe pa mundur t’ia nxjerrin asnjë fjalë dhe pa mundur ta vrasin veprën e tij. Vrasja e Besnikut në lokalet e Burgut të Prishtinës ishte shumë e dhembshme për llapjanët, shokët e tij dhe për gjithë UÇK – në. Familja humbi birin e saj të shtrenjtë e UÇK – ja humbi luftëtarin më të mirë dhe më të fortë që kishte aso kohe.

Në të dielen e 23 shkurtit të vitit 1997, në familjen Restelica të Besianës vijnë dy policë, të cilët e ftojnë babë Muharremin dhe e marrin me vete për t’ia kumtuar lajmin për vdekjen e birit të tij. Pasi ai kthehet në shtëpi, kërkon nga familja që të qëndrojnë të fortë, pasi që Besnikun e kishin vrarë policët në burgun e Prishtinës. Ata qëndruan të fortë, por mbi të gjithë, më e forta ishte nënë Xhezidja, e cila u tha fëmijëve se asnjë gjëmë dhe vaj nuk don të dëgjojë në shtëpinë e saj.

Kështu xhelatët e policisë fashiste, serbo-çetnike, të ndihmuar nga tradhtarët e vendit, ia shuan jetën birit të denjë të Besianës heroike, Besnik Restelica, sepse e dinin se ai me dhjetëra herë, në dhjetëra aksione, me shokët e tij kishin bërë kërdi mbi armiqtë. Besniku në këto aksione përdorte automatikun që ia kishte dhënë komandanti i UÇK –së, Zahir Pajaziti. Besniku i vra nga gjakatarët, por ai dhe vepra e tij heroike nuk vdesin kurrë.

Me 24 shkurt 1997 u bë varrimi i trimit Besnik Restelica në varrezat e qytetit të Besianës, afër Xhamisë, buzë magjistrales Besianë –Prishtinë. Në varrimin e tij kishin ardhur mijëra njerëz që ta nderojnë ushtarin e UÇK-së, i cili dëshmoi si jetohet dhe si vdiset për atdhe. Për meritat e tij, Besnik Restelica është shpallur dëshmor i kombit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat