Burg me kusht dhe gjobë, për hajnin e pulave në Rahovec

Kosova

Burg me kusht dhe gjobë, për hajnin e pulave në Rahovec

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 12:56
Pamje nga gjykimi

Pasi ka pranuar fajësinë se në dy raste kishte vjedhur gjithsej 13 pula dhe 3 gjela, i akuzuari Edmond Limanaxhiu, është dënuar me burgim me kusht si dhe me gjobë.Për dy vepra penale të vjedhjes, Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të hënën, atij i ka shqiptuar dënim unik prej 150 ditësh burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Por, dënimi me burgim me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën njëvjeçare, i akuzuari Limanaxhiu nuk kryen vepër tjetër penale.Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë, duke thënë se pendohet për veprën e kryer.Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Armend Zenelaj, i cili ka thënë se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe është i bazuar në provat që gjendën në shkresat e lëndës.Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguajë shpenzimet procedurale, në shumën prej 30 euro në total.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 6 janar 2017, ndaj Edmond Limanaxhiu, duke e ngarkuar atë me dy vepra penale të vjedhjes.Sipas aktakuzës, i pandehuri më 23 maj 2016, në kohë të pacaktuar në Rahovec, me qëllim që vetes t’i sjell përfitime të kundërligjshme merr pasurinë e tjetrit, ku së bashku me të miturin D.H, hyjnë në oborrin e të dëmtuarit Predrag Matiq, ku nga koteci marrin shtatë pula dhe një gjel, i fusin në thes, e të cilat më pas i kanë shitur.

Në aktakuzë thuhet se me datë të njëjtë si në dispozitivin e parë, i akuzuari Limanaxhiu, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitime të kundërligjshme hynë në oborrin e të dëmtuarit Blerim Krasniqi, dhe nga koteci merr gjashtë pula dhe dy gjela, i fut në thes, pastaj i njëjti i shet në vlerë prej 30 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat