Rasti “Stenta 2”, i akuzuari i drejtohet dëshmitarit me fjalët “ki me pas punë me mu”

Kosova

Rasti “Stenta 2”, i akuzuari i drejtohet dëshmitarit me fjalët “ki me pas punë me mu”

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 14:54
Rasti “Stenta 2”

Me fjalët “ki me pas punë me mu”, i është drejtuar dëshmitarit Hajrush Krasniqi, i akuzuari në rastin “Stenta 2”, Agron Leka.

Një gjë të tillë, i akuzuari Leka e bëri gjatë seancës të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Stenta 2”, ku për korrupsion po gjykohen 41 mjekë të spitaleve publike të Kosovës.

Me këto fjalë, Leka iu drejtua dëshmitarit gjatë kohës kur i akuzuari po i parashtronte pyetje atij lidhur me deklaratën që më herët gjatë seancës tha se edhe i akuzuari Leka, së bashku me djalin e axhës së dëshmitarit, kishin shkuar në spitalin privat “International Medicine Hospital”, në përcjellje të dëshmitarit Krasniqi.

E duke e mohuar këtë fakt, se ditën në fjalë kishte shkuar në spitalin “IMH”, i akuzuari Leka tha se do të provohet edhe nga kamerat e sigurisë që janë të vendosura në spitalin “IMH”, e pasi që një gjë e tillë, sipas Lekës, do të vërtetohet, dëshmitari do te këtë punë më të.

Kjo deklaratë e të akuzuarit, nxiti reagimin e kryetares së trupit gjykues, Shadije Gërguri, e cila tha se të akuzuarit i shqiptohet vërejtje për shkak të kësaj mënyre të marrjes në pyetje.

Pas kësaj, prokurorja e rastit, Florije Salihu-Shamolli, e pyeti dëshmitarin nëse ndihet i kërcënuar nga këto fjalë të të akuzuarit, pasi nëse po, e njëjta tha se është e obliguar të marr masa.

Mirëpo, vet dëshmitari tha se nuk ndihet i kërcënuar nga fjalët e të akuzuarit, nisur edhe fakti se i akuzuari ia njeh edhe vëllain edhe motrën e tij, duke besuar, siç tha dëshmitari, se ajo fjalë ka qenë lapsus i të akuzuarit.

E krejt kësaj, i parapriu dëshmia që dha Krasniqi të mërkurën, ku deklaroi se më 15 gusht 2012, kishte pasur një sulm në zemër, me ç’rast edhe kishte shkuar në Spitalin Regjional të Gjilanit.

“Aty kanë qenë doktor, Ismajl Aliu, Agron Leka por ndërkohë ka ardhur edhe Besim Guda. Pas kontrollës, nuk mujtën me ditë se çka kom, intervenun por kishte kaluar koha e analizave dhe unë u stabilizova dhe aty kam qëndruar deri më 17 gusht 2012. Me 16 gusht mi kanë bo të gjitha analizat dhe të gjitha më kanë dal mirë, përveç kësaj për zemër EKG, që dëshmonte që unë kam pasur atak”, tha Krasniqi.

I njëjti tha se mjeku tashmë i akuzuari Agron Leka, i kishte thënë se duhet bërë edhe koronarografia dhe në momentin kur dëshmitari tha se e kishte pyetur se ku duhet ta bëjë, Leka i kishte thënë që të shkojë në spitalin “IMH”. Kurse, mjeku tjetër, Ismajl Aliu, dëshmitari tha se i kishte propozuar që të shkonte në Shkup.

“Unë e pyeta se pse nuk bon këtu, ata më thanë që s’kem mundësi me bo koronografi këtu. Në atë kohë unë isha materialisht dobët, andaj vendosa që meqenëse më afër ishte spitali IMH në Llapnasellë të shkoj aty. Unë nuk kom pas farë numër të tyre por dr. Agroni i ka thirr dhe i ka aranzhu të gjitha, unë të njëjtit i kam thënë se nuk kom mjete, por ai më thë se “hajt se e rregullon punën e mjeteve, se edhe unë jam aty”, vazhdoi dëshminë e tij Krasniqi.

Pasi që kishte shkuar në spitalin “IMH”, dëshmitari tha se djali i axhës së tij, së bashku me mjekun Leka kishin shkuar pas tyre, me veturë private, ndërsa mjekun Leka, dëshmitari tha se e kishte parë edhe në spitalin “IMH”.

“Atë ditë ma kanë vendos dy stenda. 5300 euro më kanë kushtuar stendat dhe koronografia. Unë si kom pas ato mjete, por ndërkohë ka ardhur edhe motra dhe me ndihmën e familjarëve i kem siguru, se paraprakisht kemi qenë të njoftuar se nëse s’bëhet pagesa nuk munden me vendos stendat”, tha Krasniqi.

Kur nga prokurorja Shamolli, u pyet nëse kishte bërë kërkesë për kompensim në Ministrinë e Shëndetësisë, Krasniqi tha se nuk kishte bërë pasi tek më vonë kishte kuptuar se ka një marrëveshje mes MSH-së dhe spitaleve private.

Pasi e kishte kuptuar për këtë marrëveshje, dëshmitari tha se ishte interesuar përmes familjarëve të tij, nëse mund të merr një kompensim të tillë nga MSH, por e kishte kuptuar që një gjë të tillë nuk mund ta bëj për arsye se në fletëlëshimin që i ishte lëshuar nga Spitali në Gjilan, shkruhej se dëshmitari spitalin e kishte lëshuar me insistim të familjarëve të tij. Për këtë arsye, dëshmitari tha se fare nuk kishte bërë kërkesë në MSH.

“Në fletëlëshim thotë se pacienti transferohet në një qendër tjetër me insistimin e familjarëve të tij. Kjo më ka bo që unë të konfrotohem me dr. Agronin. Unë e kam pyetur se cili prej familjarëve të mi ka bisedu me juve, kur unë kam qenë i vetëdijshëm, askush s’ka mundur të bisedojë me mu, ai më tha jo familjarët e tu, unë i thash nuk është e vërtetë dhe unë i thash që këtë pasus duhet të përmirësosh se nuk po mund të realizojë kërkesën në MSH, por ai më tha jo. Pastaj unë i thash që nuk e lo me kaq”, deklaroi dëshmitari.

Pas kësaj, Krasniqi tha se kishte shkuar për të paraqitur këtë rast edhe në Stacion Policor në Gjilan, të cilët e kishin referuar që rastin ta paraqes në stacionin qendër të Prishtinës, e pastaj edhe këta të fundit e kishin udhëzuar që të drejtohet për tek prokurori Besim Kelmendi.

“Unë e konsideroj veten të dëmtuar materialisht por edhe moralisht. Unë i kom thënë dr. Agronit, pse nuk ma keni dhënë udhëzimin për me shku në QKUK ku ka ekizstuar aparati i koronografisë, ose edhe mu shtri në klinikën kardiokirugjike, por ai më tha pse me ta dhënë kur t’i ke kërkuar të shkosh në privat, unë i thash që ju keni obligim për me më orientu në QKUK.”, tha Krasniqi.

E gjatë bisedave me të akuzuarin Leka, gjatë kohës kur po qëndronte në spitalin në Gjilan, dëshmitari tha se nuk kishte qenë askush tjetër prezent, ndërsa vet spitalin, e kishte lëshuar me referencë të mjekut Leka, pasi ky i fundit e kishte informuar se është duke ardhur auto ambulanca e spitalit “IMH”.

Vet i akuzuari Leka, tha se ka tre vjet e gjysmë që është në ankth shkaku i kësaj dëshmie të shkruar të dëshmitarit, para se të pyeste të njëjtin se ai kujtohet se kur ai kishte qenë kujdestar në spitalin në Gjilan.

“Po, të premten më 17 gusht”, u përgjigj dëshmitari.

Pasi dëshmitari e mohoi se Leka tek shtrati i tij në spitalin e Gjilanit, kishte shkuar me ndonjë familjar, i akuzuari e pyeti nëse i kujtohen emrat e Refik Krasniqit dhe Suzana Krasniqit.

“Suzanën ki mujt me njoftë se e ki pas shoqe të klasës. Refiku nuk ka qenë atë ditë në punë”, u përgjigj dëshmitari.

“A ju kujtohet se nëse këta, dëshmitar kanë vendosur nënshkrim për të ju lejuar dërgimi në shtëpi apo trajtim dikund tjetër. A keni dëshmi që kam qenë vetëm unë që jam afruar afër shtratit, naj selfie apo diçka tjetër?” ishte pyetja pasuese e të akuzuarit, me dëshmitarin që u përgjigj se nuk din të bën “selfie”.

Pas kësaj përgjigje, Leka tha se ai nuk ka shkuar vet, por me një infermier, ndërsa shtoi po ashtu se, se më 18 gusht 2012, nuk kishte shkuar me dëshmitarin në IMH, por kishte shkuar me djalin e tij në shtëpi, pasi e kishte përfunduar kujdestarinë për atë ditë.

Po ashtu, lidhur me dëshminë e dëshmitarit, i cili kishte deklaruar se fletëlëshimi nga spitali nuk i ishte dhënë ditën kur ishte larguar nga spitali në Gjilan, i akuzuari Leka tha se një fletëlëshim i tillë nuk lëshohet nga pasditja e së premtes deri të hënën.

“Unë të hënën jam liruar nga IMH, data 20.08.2012, unë nuk kom mujt atë ditë me shku, a kam shkuar të nesërmen apo të pasnesërmen, nuk jom i sigurt. Fletëlëlëshimin e kom marr në administratë”, tha dëshmitari pasi u pyet nga gjykatësja Gërguri, lidhur me kohën kur e kishte marr të njëjtin.

Pasi dëshmitari kishte shkuar tek mjeku Leka, për t’i kërkuar që të ndërronte një pasues në fletëlëshim ku thuhej se dëshmitari e kishte lëshuar spitalin me insistim të familjarëve, i akuzuari e pyeti Krasniqin nëse i kujtohet se i kishte thënë se ai nuk ka kapacitet për të ndërruar atë pasues sepse atë kohë, nuk lejohej transferimi nga institucioni publik, në privat, dhe se i akuzuari nuk e kishte bërë atë, por kishte qenë insistim i familjarëve të tij.

Madje, Leka tha se dëshmitari kishte shkuar katër apo pesë herë tek ai për të ndërruar pasuesin dhe e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet kur e kishte kërcënuar lidhur me këtë.

E  dëshmitari u përgjigj duke thënë se i kishte thënë të akuzuarit, se ashtu siç ka gabuar kur e ka shkruar atë pasues ashtu edhe të përmisojë të njëjtin.

“Ja kom jep numrin dhe i kam thënë se një javë kohe keni me permisu, nëse jo, atëherë unë vazhdoj rrugës sime”, tha dëshmitari.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe i akuzuari Lulzim Kamberi, mirëpo, pasi që trupi gjykues i refuzoi disa nga to, Kamberi tha se nuk pranon të vazhdojë me pyetje në këtë atmosferë, me gjykatësin Shashivar Hoti që ju përgjigj duke thënë se “këtu është gjyq e jo fakultet”.

Duke ju përgjigjur pyetjeve së të akuzuarit Faik Shatri, lidhur me mundësinë e kompensimit nga MSH, dëshmitari tha se ishte njoftuar nga ana e disa kolegëve të tij që kishin pasur raste të ngjashme.

“A e dini që në vitin 2012, MSH nuk ka kompensuar rastet urgjente”, ishte pyetja pasuese e Shatrit, me dëshmitarin që u përgjigj duke thënë se nuk e ka pasur këtë informatë.

Për shkak se me vonesë e kishte kuptuar lidhur me mundësinë për kompensim, dëshmitari tha se edhe rastin në polici e kishte paraqitur tek në vitin 2016.

Ndryshe, disa herë gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues iu ka tërhequr vërejtjen të akuzuarve dhe avokatëve për pengesa gjatë gjykimit.

Gjithashtu, trupi gjykues e refuzoi edhe kërkesën e të akuzuarit Besim Guda, të dhënë në fillim të seancës, ku i njëjti kërkoi që seanca të shtyhet për shkak të “coronavirusit”.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa, Masar Gashit.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 41 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani ishin shpallur fajtor në prill 2019, me c’rast Agani ishte dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani me 2 vjet burgim efektiv. Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve, ky rast tashmë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private pritet të fillojë së shpejti, pasi që aktakuza ndaj tyre është konfirmuar nga dy instancat gjyqësore.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik, raporton Betimiperdrejtesi. Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat