Gjykatësi: Nuk e di si është ngritë aktakuzë, në gusht ka ndodhur vepra, e në shkresa është fotografia me borë deri në gju

Kosova

Gjykatësi: Nuk e di si është ngritë aktakuzë, në gusht ka ndodhur vepra, e në shkresa është fotografia me borë deri në gju

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 16:15
Pamje nga gjykata

I akuzuari Bujar Jashari, ka mohuar fajësinë se në gusht të vitit 2019, të ketë vjedhur pyllin.

Mohimin e fajësisë për akuzën me të cilën ngarkohet, ai e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë.

“Nuk e pranoj fajin. Nuk është e vërtet që kam pre dru në këtë datë. Nuk është e vërtetë që më ka takuar roja e pyllit Tasim Sinani dhe dëshiroj të ballafaqohem me të”, ka deklaruar i akuzuari Jashari.

Në lidhje me këtë çështje, gjykatësi Minir Hoti, ka deklaruar se rasti në aktakuzë përshkruhet të ketë ndodhur me 3 gusht, ndërsa fotografitë në shkresat e lëndës paraqesin një traktor të vetëm dhe në kohë me borë.

“Nuk e di si ka mundur me u ngritë aktakuza, në të cilën flitet për rastin e 3 gushtit, e në fotografi e ke një traktor pa askënd në të dhe bora deri në gjunjë”, ka deklaruar gjykatësi Hoti.

Pas kësaj, prokurori Ali Ajdini, ka shtuar se është mirë të ftohet roja i pyllit, për të kuptuar më tepër rreth çështjes në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Hoti, e ka njoftuar të akuzuarin Jashari, se mund të paraqes kundërshtim me shkrim dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës, me ç’rast seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 2 prill, në ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur me 15 nëntor 2019, që mbanë firmën e prokurores Jehona Grantolli, për të akuzuarin Bujar Jashari përshkruhet se më 3 gusht 2019, rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Te Gërdeqi”, në fshatin Gërdec në Podujevë, në pyllin në pronësi publike, me të cilin menaxhon Agjencia Pyjore e Kosovës, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, e që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, është zënë në flagrancë nga punëtori i autorizuar i sektorit të pylltarisë, duke prerë dru.

Siç thuhet në aktakuzë, drutë e prerë kishin gjatësi rreth 3.35 m3, me diametër 16m, në vëllim të përgjithshëm prej 3.35 m3, me ç’rast Agjencisë Pyjore të Kosovës, në Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 452.20 euro.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349, paragrafi 3, pika 3.1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat