Nxënësit e Busavatës në hall të madh

Kosova

Nxënësit e Busavatës në hall të madh

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 9 mars 2020 Në ora: 07:35
Busavatë

Kemi shpresuar shumë se pas çlirimit shkollat do të marrin frymë më lirshëm dhe procesi arsimor do të zhvillohet mirë e mbarë. Por jo gjithmonë shpresat dhe ëndërrat bashkë me dëshirat dalin të tilla në realitet. Përse mund të thuhet kështu?

Ka një fshat në komunën e Dardanës me emrin Busavatë, i cili pothuajse disa muaj ka halle dhe madje ka halle tepër të mëdha me shkollën. Duke pasur probleme të tilla, vetvetiu nënkuptohet se nxënësit janë ata të cilët pësojnë më së shumti dhe shndërrohen në viktima potenciale. Apo, thënë më saktë, në të vërtetë ata janë në hall me kryetarin e Dardanës Qëndron Kastrati, i cili duke qenë se është kryetar i komunës ka vënë dorë të fortë prej pushtetari mbi fatin e 104 nxënësve, të cilët pa fajin e tyre po privohen nga e drejta e tyre për shkollim!!!

Ç' është ky absurditet në këtë kohë? Si ka mundësi që t' u ndodh diçka e tillë sot ku fëmijëve t' u mohohet e drejta e shkollimit në vendin e vet, në fshatin e vet?! Në Busavatë po ndërtohet shkolla e re moderne, së cilës i gëzoheshin nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, por gëzimin e tyre e shndërron në një makth të vërtetë paradoksi i madh se nxënësit me urdhër nga lart, domethënë nga pushtetari Qëndron Kastrati urdhërohen që të udhëtojnë për në Dardanë me mbi 15 deri në 25 kilometra distancë rrugore. Praktikat bashkëkohore pedagogjike kërkojnë sot që nxënësve t' u ofrohet shkolla në vendin e tyre, atje ku ata banojnë e jetojnë dhe jo të detyrohen sa madje edhe fëmijët me moshë të njomë, tepër të brishtë 6 veçare, të udhëtojnë për në Dardanë!

Dhe ku do të mësojnë pastaj? Në çfarë shkolle?Në çfarë kushte? Po, ata do të mësojnë në një shkollë që rrezikon shëndetin e fëmijëve, për kushtet tejet të rënda dhe që nuk përmbushin asnjë lloj standardi të shkollës së sotme moderne. Prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit ka muaj të tërë që protestojnë dhe kërkojnë shkollën në vendin e tyre, ndërkaq kryetari Kastrati me kryeneçësinë dhe megalomaninë e tij, vazhdon t' i injorojë kërkesat e tyre legjitime. Si ka mundësi që ende asnjë qeveri, as ajo e shkuara dhe aq më tepër as kjo e sotmja nuk u është gjendur afër banorëve dhe nxënësve dhe t' ua zgjidhë njëherë e mirë problemin? Si ka mundësi që Ministria e Arsimit nuk e ka zgjidhur ende këtë problem , edhe pse ministresha Hikmete Bajrami ishte në dijeni dhe madje ishte edhe vet në vendin e ngjarjes? Por mjerisht as ajo nuk e zgjidhi këtë nyje. A thua u dashka doemos të sakrifikohet shëndeti i fëmijëve karshi tekeve të një njeriu që përdorë dorën e fortë dhe kushedi për çfarë interesa? Si ka guxim ky njeri që t' ua mohojë nxënësve shkollën moderne , e ndërtuar pikërisht për këta shkollarë me një kosto të lartë, së cilës i gëzoheshin pa masë, t' i detyrojë ata që të udhëtojnë me dhjetra kilometra dhe të lodhur e të rraskapitur dhe me stresin e udhëtimit t' i fusë në një shkollë me rrezikshmëri shëndetësore siç kanë konstatuar organet dhe institucionet përgjegjëse? A

po, mos ndoshta edhe pushteti i sapoinstaluar në Kosovë ka rënë në grackën e korrupsionit dhe nuk arrinë ta zgjidhë problemin e madh të fshatarëve? Nuk e di a e dinë këta pushtetarë bashkë me ministreshën Bajrami se me këtë gjest aspak pedagogjik e poashtu aspak etik, do t' i detyrojnë ndoshta fshatarët bashkë me fëmijët e tyre, të marrin rrugën e mërgimit, meqë e drejta për shkollim në vendin e tyre po u mohohet? Me të tilla veprime burokratike dhe megalomane nxënësit e Busavatës rrezikojnë të mbeten ose analfabetë, ose edhe më keq të braktisin vendlindjen dhe kështu të shndërrohen në refugjatë nëpër vendet europiane?

Andaj pushtetarë, vini gishtin kokës dhe mendoni me gjakftohtësi e urtësi se mohimi i shkollimit në vendlindje është gabim flagrant.Pse s' u lejohet fëmijëve që shkollimin e tyre ta mbajnë në fshat por të bëjnë udhëtime dhe shpenzime të panevojshme si për prindërit e Busavatës, poashtu edhe për komunën e Dardanës. Apo është koha e tenderomanive , të cilat po "lulëzojnë" për fatin tonë të keq gjithandej në Kosovë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat