Dështon gjykimi për ndërtime të kundërligjshme, i akuzuari ka mbetur në Dubai për shkak të koronavirusit

Kosova

Dështon gjykimi për ndërtime të kundërligjshme, i akuzuari ka mbetur në Dubai për shkak të koronavirusit

Më: 9 mars 2020 Në ora: 14:22
Dështon gjykimi

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku Naser Hoxha, po akuzohet për ndërtime të kundërligjshme.

Shkak për dështimin e kësaj se seance, ka qenë mungesa e të akuzuarit Hoxha.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Miftar Islami, e ka njoftuar gjykatën se shkak për mungesën e të akuzuarit Hoxha është koronavirusi.

Ai ka thënë se klienti i tij, para disa ditësh, kishte udhëtuar për në Dubai dhe sipas planit të fluturimit është dashur të kthehet të shtunën në Kosovë, por për arsye të ndërrimit dhe kufizimit të fluturimeve, deri më sot ka mbetur në atë shtet.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Ibrahim Idrizi, tha se seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, sepse nuk është e sigurt kur do të kthehet i akuzuari nga shteti ku ka udhëtuar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hoxha, më 21 dhjetor 2010, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Ferizaj, në cilësinë e pronarit “Rubin Invest”, ka vepruar në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit për Ndërtimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari me rastin e kryerjes së ndërtimit të objektit banesor, “Centrum 2”, ka vepruar në kundërshtim me lejen për ndërtim, duke e tejkaluar lejen e ndërtimit (B+P+4+NK), ashtu që ka ndërtuar tre kate shtesë, me ç’ rast ka paraqitur rrezik për jetën e njerëzve dhe pasurinë në vlerë të madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat