Malisheva po zbaton masat parandaluese kundër COVID-19

Kosova

Malisheva po zbaton masat parandaluese kundër COVID-19

Më: 15 mars 2020 Në ora: 12:46
Pamje nga takimi

Pas konfirimit të rastit të parë me koronavirus, në Malishevë, Qeveria ka vendosur që të karantinohet i tërë territori i kësaj komune.

Përmes një komunikate, Komuna e Malishevës bën me dije se deri më tani po zbatohen masat parandaluese kundër COVID-19.

Komunikata e plotë:

Këshilli komunal për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19, është takuar sot në mëngjes, ku është bërë analizë e situatës së krijuar pas paraqitjes së rastit të parë të infektuar me COVID-19. Bazuar në të dhënat e raportuara, situata është në kontroll dhe janë vetizoluar të gjithë personat e identifikuar që kanë pasur kontakt me personin e infektuar.

Po ashtu, edhe Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se është duke u zbatuar vendimi i qeverisë për futjen në karantinë të tërë territorit të Komunës së Malishevës.

Sa i përket shërbimeve publike, ato janë duke u kryer normalisht, pra furnizimi me ujë në vendbanimet që kanë sistem të ujësjellësit, është duke u bërë normalisht, e po ashtu edhe grumbullimi i mbeturinave po kryhet normalisht.

Sa i përket furnizimit me ujë, njësia e Hidroregjionit jugor në Malishevë, ka këshilluar të gjithë qytetarët që të përdorin ujin e klorinuar nga sistemet e tyre, ndërsa vendbanimet që nuk kanë sistem të ujësjellësit, këshillohen që brenda mundësive të furnizohen me ujë nga fshatrat ku kanë sistem të ujësjellësit.

Përndryshe, edhe masat tjera janë duke u zbatuar në përpikëri dhe të gjitha organet përgjegjëse janë në krye të detyrës pa ndërpre.

Në këtë takim, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përsëri ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen, por vetëm ti zbatojnë masat parandaluese sipas udhëzimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat