KASH në lidhje me situatën në Kosovë: Koha për bashkëpunim

Kosova

KASH në lidhje me situatën në Kosovë: Koha për bashkëpunim

Më: 25 mars 2020 Në ora: 13:02
Foto ilustrim

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet e ditëve të fundit në Kosovë, të cilat bëhen edhe më shqetësuese në kontekstin e pandemisë globale të Covid-19.

Sipas tyre, klasa politike dhe strukturat shtetërore të vendeve me burime dhe mundësi të kufizuara, siç është Kosova, nuk duhet të harxhojnë energjitë e tyre sidomos në këto momente për beteja politike, aq më tepër kur mund të rezultojnë në bllokada institucionale apo mbetjen e vendit pa një administratë efektive.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet qëndrimit të përbashkët, të Ambasadave të SHBA, RFGJ, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë në Prishtinë, dhe shqetësimit të tyre mbi nevojën për të respektuar integritetin dhe funksionimin e qeverisë së Kosovës, si dhe fton të gjithë klasën politike të bashkërendojnë energjitë e tyre për përballimin e kësaj krize me përparësi interesin e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe krijimit të një klime të përshtatshme për qytetarët, mund të përballohet rreziku i përhapjes së virusit dhe të gjitha pasojave që do të sjellë kjo situatë në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.

KASH fton drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin, me të gjithë aktorët politik në vend, si dhe me përfaqësueset e shteteve mike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat