Masakrat e Krushës së Madhe dhe Anadrinisë janë krime të pandëshkura!

Kosova

Masakrat e Krushës së Madhe dhe Anadrinisë janë krime të pandëshkura!

Nga: Haki Latifi Më: 26 mars 2020 Në ora: 14:15
Krushë e Madhe

Krusha e Madhe njihet si vend i Martirëve të mëdhenj, është vendlindja e Bajram Currit dhe Ukshin Hotit.

Masakra e Krushës së Madhe 21 vjet më parë, është një nga masakrat më të turpshme me përmasa gjenocidi e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës.
Në këtë fshat, nga forca e armikut, janë vrarë dhe masakruar mbi 400 civilë, 241 nga Krusha e Madhe, kurse të tjerët nga fshatrat përreth, ndërsa 64 prej të cilëve janë ende të zhdukur dhe kërkohen prej familjarëve.
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë. Ata ranë në altarin e lirisë për të qenë dëshmorë e martir të kombit. Me jetën, gjakun dhe veprën e tyre, ata i shtuan historisë sonë një faqe të re, një faqe të lavdishme e cila në kujtesën e brezave të ardhshëm do të jehojë zëshëm si porosi jetësore se si duhet jetuar e si duhet vdekur, duke mos pranuar robërinë.
Të pafajshëm ishin që të gjithë, jo vetëm në Krushë të Madhe, në Anadrini dhe në gjithë Kosovën, që u masakruan pamëshirshëm. Krushjanët dhe zemra e familjarëve të vrarë qëndron e ftohtë sot e atëherë, që nga kriminelët serbë askush s’u dënua!
Martirët dhe dëshmorët janë drita e lirisë, Ata janë themeli i pavarësisë, Ata janë arsyeja pse ne sot jetojmë të lirë, Ata janë feniksët e këtij dheu, Janë më të dashurit tonë, janë simbol i këtij atdheu. Krusha e Madhe njihet si vend i Martirëve të mëdhenj! Është vendlindja e Bajram Currit dhe Ukshin Hotit. Për Krushën dhe fshatrat e Anadrinisë, nuk të lejon të flasësh me fjalë shumë të mëdha, përveç se të përulesh me nderim shumë të madh përpara këtyre të rënëve dhe të thërrasësh me forcë se, dhimbja është e të gjithë shqiptarëve. Ju jeni nderi dhe lavdia e të gjithëve ne.
Nuk ka detyrë më të rëndë se të flasësh për ata që jetën e tyre e shkruan me gjakun e tyre dhe që sot na flasin me mungesën e tyre.
Siq dihet, krimet në Kosovë ishin të planifikuar dhe u kryen në emër të një plani kolektiv shtetëror të Serbisë, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar "Potkovica" - Plani "PATKOI!
Vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegjja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërgulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale - spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Pra, krimet dhe gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror serbë, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar "Potkovica" - Plani "PATKOI".
Krusha e Madhe dhe Anadrinia nuk kishte faj as atëherë kur iu krijua plaga. Krusha e Madhe dhe Anadrinia nuk ka faj as tash kur u ngacmohet ajo plagë. Kosova nuk harron, drejtësia herë do kurdo, do të triumfoj! Krusha është simbol i sakrificës sublime, simbol i lirisë së Kosovës, i përkushtimit t ë jashtëzakonshëm në luftë dhe në paqe, është simbol i mbijetesës, në të cilën tejkaluan atë tragjedi të madhe që e përjetuan dhe vazhdojnë të jenë një rrëfim i jashtëzakonshëm, në Republikën e Kosovës dhe jashtë Kosovës.
Lavdi për gjithë martirët dhe dëshmorëve e Krushës së Madhe dhe tërë Kosovës!
Rënia e tyre u bë motiv shtesë për brezat që kishin ideal çlirimin e Kosovës.
U qoftë i lehtë dheu i Dardanisë antike!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat