Rasti i parë me COVID-19 në Drenas, reagon kryetari Lladrovci

Kosova

Rasti i parë me COVID-19 në Drenas, reagon kryetari Lladrovci

Më: 6 prill 2020 Në ora: 21:25
Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se komuna nuk ka pranuar ende informacion zyrtar lidhur me shfaqjen e rastit të parë me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka kumtuar sonte lajmin për 20 raste të reja të regjistruara me koronavirus.

Njëri prej rasteve, sipas IKShPK-së, është regjistruar në Komunën e Drenasit. Por, Ramiz Lladrovci, thotë se ende nuk ka marrë informatë zyrtare nga IKShPK lidhur me rastin.

“Ne nuk kemi asnjë informacion për personin e infektuar me COVID-19 nga Komuna e Drenasit. Në të gjitha listat tona, ne nuk kemi pasur rast nga Komuna jonë, i cili ka qenë për t’u testuar në IKShPK”, ka thënë Lladrovci, në një bisedë telefonike.

“Mund të jetë ky qytetar nga karantina, por mund të jetë edhe qytetar me leternjoftim të Drenasit, por banor i ndonjë qyteti tjetër”, ka thënë Lladrovci.

Ai ka thënë se është duke pritur “të na vijë informacioni zyrtar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”.

Lladrovci ka nënvizuar se asnjëri prej banorëve të Drenasit, të cilët i janë nënshtruar testeve për COVID-19 gjatë ditëve të kaluara, nuk ka rezultuar pozitiv deri ditën e djeshme.

“Të gjithë njerëzit të cilët i kemi dërguar për teste në IKShPK, kanë dalë negative. I kemi pasur në vetë-izolim diku rreth 137 njerëz”, ka thënë Lladrovci.

20 raste të reja me koronavirus në Kosovë janë identifikuar gjatë ditës së sotme, ka njoftuar IKShPK.

“Rastet pozitive janë raste kontakti,  pesëmbëdhjetë (15) prej të cilave janë me vendbanim në Banjë -Malishevë, dy (2 ) me vendbanim në Malishevë, një (1) me vendbanim në Bllace-Suharekë, një (1) me vendbanim në Drenas dhe një (1) me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IKShPK.

Me këto raste, ka shkuar në 165 persona të infektuar me virusin Covid-19 në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat