Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka thënë se presin sonte që të dalin rezultatet e 14 personave për t’u konfirmuar se ata janë shëruar në Koronavirusi.
“Kemi nëntë të shëruar deri tash dhe po presim tash për të tjerë. Është lajm i mirë dhe inkurajues për të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus. Nga personat e konfirmuar me COVID-19 dhe që po qëndrojnë shtëpi janë 14 raste që janë testuar mbrëmë dhe kanë dalë negativ. Po presim rezultatin e dytë dhe që të rritet numri i të shëruarve në Komunën e Malishevës”.
“Aktualisht në Malishevë kemi 64 persona me Koronavirus. Pjesa më e madhe janë të shpërndarë në tetë vendbanime. Shtabi Emergjent Komunal që kur është paraqitur rasti i parë në Kosovë i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme edhe kemi bërë zbatimin e vendimeve të Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se mirëpresin vizitën e paralajmërua për nesër të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti.
“Nuk kemi personale asgjë me Kurtin, kemi kërkuar furnizimin me pajisje mjekësore. Mirëpresim vizitën e Kurtit dhe kemi mirëpritur vizitën e Sveçlës. Nuk nënçmojmë asnjë institucion apo përfaqësues politikë. Duhet të tejkalohen kornizat politike. Prej 25 ditë nuk i kam parë fëmijët e mi, unë dhe të gjithë drejtorët”.
Berisha ka njoftuar se Komuna e Malishevës do të nisë të bëjë një dezinfektim më masiv duke nisur nga objektet komunale.