Fushë-Kosova eliminon deponinë në lagjen” 029”

Kosova

Fushë-Kosova eliminon deponinë në lagjen” 029”

Më: 22 prill 2020 Në ora: 12:19
Fushë-Kosova

Zyrtarët e Komunës së Fushë-Kosovës kanë marrë aksion për të eliminuar mbeturinat në Lagjen 029 në periferi të qytetit. Në një njoftim të kësaj komune thuhet se grumbullimi i këtyre mbeturinave në këtë lagje bartë rreziqe ekologjike, por edhe shëndetësore.

“Së bashku me KRM ‘Pastrimi’ njësia në Fushë-Kosovë, po bëhet largimi i mbeturinave në ‘Lagjen 029’ në Fushë-Kosovë. Grumbullimi i mbeturinave pa planifikim, bartë rreziqe të ndryshme, jo vetëm në aspektin ekologjik por edhe shëndetësor, pasi që si pasojë e këtyre mbeturinave, kanosemi edhe nga epidemi të tjera, dhe më e keqja, jo vetëm që e degradojmë ambientin, por po ju krijojmë kushte ideale për grumbullim edhe qenve endacakë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë-Kosovës.

Komunarët kanë kërkuar nga qytetarët që mbeturinat t’i hedhin në kontejnerë.

“Përkushtimi ynë për një Fushë-Kosovë të pastër, nuk do të mungojë në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë. Kërkojmë nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm në këtë kohë të përballjes me pandeminë botërore COVID-19, të jenë më vigjilent dhe mbeturinat t'i vendosin vetëm në pikat ku janë kontejnerët”, përfundon njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat