Nesër rinis vaksinimi i fëmijëve në Kosovë, pas një muaji pauzë

Kosova

Nesër rinis vaksinimi i fëmijëve në Kosovë, pas një muaji pauzë

Më: 4 maj 2020 Në ora: 00:53
Foto ilustrim

Përhapja e Covid-19 ka bërë që Kosova për herë të parë të ndërpresë programin e imunizimit, përkatësisht vaksinimin e rregullt të fëmijëve deri në moshën 18-vjeçare.

Për një muaj rresht në Kosovë janë vaksinuar vetëm të porsalindurit dhe janë dhënë vaksinat për mbrojtje nga lëndimet.

Por këtë të hënë në Kosovë do të rinisë vaksinimi nën masa të rrepta të parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Drejtoresha e QKMF-së në Prishtinë, Sadete Hadri, thotë se njëra prej arsyeve pse po nis vaksinimi është shmangia nga përhapja e ndonjë epidemie të fruthit nga mosdhënia me kohë e kësaj vaksine.

Zyrtarë të OBSH në Kosovë thonë se vaksinimi si pjesë e shërbimeve esenciale nuk do të duhej të ndërpritej asnjëherë, por që për shkak të pandemisë disa shtete si Kosova u detyrën ta ndërprisnin.

Isme Humolli, zyrtare profesionale në OBSH thotë se të gjitha hapësirat ku duhet të bëhet vaksinimi, duhet të jenë të ndara, derisa aty ku nuk është e mundur, atëherë vaksinimi do të bëhet në tenda.

Në Prishtinë vaksinimi mund të bëhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare, derisa u është bërë thirrje prindërve që të shmangin tollovitë dhe vaksinimin të vazhdojnë ta bëjnë në ato qendra që e kanë bërë paraprakisht. Derisa në objektet ku do të bëhet vaksinimi nuk do të lejohet defilimi i pjesës tjetër të stafit shëndetësor që punon aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat