Podujevë: Dyshohet për gabime në testimin e parë të dy personave që u raportua se ishin me COVID-19

Kosova

Podujevë: Dyshohet për gabime në testimin e parë të dy personave që u raportua se ishin me COVID-19

Më: 7 maj 2020 Në ora: 21:02
Foto ilustrim

Gabime dyshohet se janë bërë gjatë testimit më 27 mars të dy personave nga Komuna e Podujevës, që u raportua se ishin infektuar me COVID-19. Të dy këta pacientë, një 16-vjeçar nga fshati Llapashticë dhe një 58-vjeçare nga Podujeva, pritej t’u nënshtroheshin operacioneve. I pari dyshohej se kishte pësuar aksident me biçikletë dhe duhej t’i nënshtrohej operacionit në Klinikën e Kirurgjisë, ndërsa e dyta për shkak të disa problemeve shëndetësore duhej të operohej në Gjinekologji.

Epidemiologia në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë (QKMF), Bedrie Rama, ka thënë se para operacioneve ata duhej t’i nënshtroheshin testimit për koronavirus. Dhe të dy atë ditë kishin rezultuar pozitivë. Por testimet e mëvonshme kishin rezultuar negativë duke vënë në dyshimin rezultatin e parë.

Deri më 27 mars, në Komunën e Podujevës ishin 9 persona të prekur nga kjo pandemi. Edhe për epidemiologen Rama ky numër nuk ka ndryshuar, pasi, sipas saj, dy personat e fundit nuk kanë qenë fare të prekur me COVID-19 dhe rrjedhimisht nuk mund të përfshihen në statistikat e të infektuarve.

“Më 27 prill janë konfirmuar 2 raste pozitive, por janë përsëritur testet prej Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe kanë ardhur në përfundim se janë negativë të dy rastet”, ka thënë Bedrie Rama.

Kur është pyetur nëse janë bërë gabime në testimin e parë, ajo ka thënë se fakti që janë përsëritur testet tregon se dyshime ka pasur edhe nga vetë IKSHP-ja.

Epidemiologia e QKMF-së ka treguar se katër personat që kanë rezultuar pozitivë më 20 prill janë testuar gjatë ditës së martë dhe nëse rezultojnë negativë, atëherë u bëhet edhe testi tjetër për të konfirmuar nëse janë shëruar plotësisht./KOHA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat