Dalin rezultatet e autopsisë, 39-vjeçarja nga Istogu s’ka vdekur nga COVID -19 - Bota Sot
Dalin rezultatet e autopsisë, 39-vjeçarja nga Istogu s’ka vdekur nga COVID -19

Kosova

Dalin rezultatet e autopsisë, 39-vjeçarja nga Istogu s’ka vdekur nga COVID -19

Më: 21 maj 2020 Në ora: 17:39
Instituti i Mjekësisë Ligjore shkaktarin kryesor të vdekjes e ka gjetur Sepsën

Ka kaluar një muaj prej kur familja e Sevdije Kuklecit, 39-vjeçares nga fshati Lluga i Istogut ka qenë duke pritur rezultatin e autopsisë për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së familjares së tyre.

Sipas dokumentit të siguruar nga Sinjali, Instituti i Mjekësisë Ligjore shkaktarin kryesor të vdekjes e ka gjetur Sepsën.

“Sëmundja apo gjendja e drejtpërdrejtë që e ka shkaktuar vdekjen – SEPSA. Gjendja e cila ka sjellë deri te shkaktari i vdekjes – PERITONITI FIBRINOZ PURULENT. Shkaktari kryesor i vdekjes – PERFORIMI I ULCERËS DEODENALE”, thuhet në certifikatën e vdekjes së Sevdije Kuklecit.

Motra e të ndjerës, Fatime Salihi, ka thënë se e gjitha nisi me dhimbjen e lukthit, por që në Spitalin e Pejës ku edhe është trajtuar, sipas saj është injoruar nga mjekët.

Salihi thotë se rasti nuk është trajtuar si duhet sepse me gjithë dhimbjet e mëdha që kishte motra e saj, ajo është trajtuar vetëm me qetësues.

“Gjatë qëndrimit në Pejë është neglizhuar aq shumë rasti sa qe nuk është trajtuar në mënyrë të duhur për lukth, mirëpo vetëm me qetësues dhimbjesh. Madje me këtë problem në lukth i është dhënë ushqim i rëndë (lakra me mish). Kjo neglizhencë është bërë me arsyetim që të enjtën ka qenë festë dhe vetem e premtja ka qenë ditë e rregullt e punës, pastaj vikend. Nuk është bërë një inçizim i lukthit për të parë gjendjen e tij. Pasi i ka shpërthyer i thati në lukth, është dërguar për Prishtinë që ka qenë shumë vonë për të. Dua të theksoj se mjekët nuk janë pajtuar mes vete se kush të mirret me rastin, ata në sytë e saj (të ndjerës) kanë debatuar se kush do ta trajtojë”, ka thënë Salihi.

Më tej, ajo thotë se kur kanë shkuar në Prishtinë motra e saj ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas saj referimi i vonuar nga Spitali i Pejës ka qenë fatal për të.

“Kur ka shkuar rasti në Prishtinë ka qenë tepër vonë sepse gjendja e saj ishte shumë e rëndë. Jo që po e them unë, por nga çdo mjek që e ka përcjell rastin sa ishte duke u trajtuar në QKUK e kam dëgjuar fjalën “Peja e ka vonuar shumë rastin dhe nuk është hera e parë që po i vonojnë”, ka shtuar Salihi.

Nuk kishte kaluar shumë kohë prej kur Sevdije Kukleci kishte vdekur, ndërsa familjes i ishte thënë se vdekja ka ardhur si pasojë e infektimit me koronavirus. Dyshimet e familjes për shkaktarin e vërtetë të vdekjes u shtuan akoma më shumë kur të gjithë personat që kishin pasur kontakt me të u testuan për COVID-19 dhe asnjë nga ta nuk rezultoi pozitiv.

“Tash e më shumë se një muaj kanë kaluar dhe gjitha që kemi në dorë është një certifikatë  e IML-së që tregon se shkaku i vdekjes së motrës time është Sepsa apo shpërthimi i të thatit në lukth. Ende nuk kemi asnjë informatë rreth hetimeve ndaj rastit, nuk e dimë se pse është bartë rasti nga Prokuroria e Pejës në Prokororinë e Prishtinës”, tha tutje ajo.

Familja thotë se ata nuk do të ndalen dhe se rasti do të përcjellët në instancat më të larta të drejtësisë në vend në mënyrë që fajtori për vdekjen e të ndjerës Kukleci të dal para drejtësisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat