​Me lule përkujtohen viktimat e vetëvrasjes në Kosovë

Kosova

​Me lule përkujtohen viktimat e vetëvrasjes në Kosovë

Më: 27 maj 2020 Në ora: 17:33
Ilustrim

Mbi 1 mijë persona kanë kryer vetëvrasje në 20 vjetët e fundit në Kosovë. Me hapjen e një përkujtimoreje në të cilët janë mbledhur lule të verdha, sot është përmbyllur kampanja “Linja e Jetës”, dedikuar këtyre viktimave.

Bind Skea nga Organizata për Informim dhe Përmirësim Social, tha se kanë përzgjedhur që këto lule të jenë me ngjyrë të verdhë me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit karshi kësaj dukurie negative.

Skea: Kjo hapësirë i dedikohet viktimave të vetëvrasjes

“Kjo hapësirë i dedikohet viktimave të vetëvrasjes në 20 vjetët e fundit në Kosovë që shënojnë mbi 1 mijë persona. Secila bimë që kemi mbjellë e ka një lule që simbolizon një person që ka kryer vetëvrasje në Kosovë. Ngjyra e verdhë është përzgjedhur si mënyrë për të ndërgjegjësuar gjithsecilin për parandalimin e vetëvrasjes, për këtë e kemi emëruar edhe kampanjën ‘Këtu për ty’ që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit rreth parandalimit të vetëvrasjes, dhe t’iu tregohet njerëzve që Lindja e Jetës që është një linje aktive për parandalimin e vetëvrasjes, është resurs që mund të përdoret prej tyre dhe me mund të jep përkrahje gjatë pandemisë nëpërmes mesazheve më pozitive dhe t’iu tregohet se ne mund t’i dëgjojmë problemet e tyre”, tha ai.

Adrian Berisha, këshilltar i kryetarit të Prishtinës, thotë se duhet shtuar kujdesi për shëndetin mendor, andaj edhe e kanë përkrahur këtë projekt që për fokus ka rritjen e ndërgjegjësimit për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë.

Berisha: Duam të bashkëpunojmë për të shtuar kujdesin për shëndetin mendor

“Kemi për qëllim të bashkëpunojmë sa më shumë në drejtim të përmirësimit të apo kujdesit sa më të madh për shëndetin mendor, sepse mendojmë se shëndeti mendor është primar dhe duhet të kujdesemi sa më shumë dhe të punojmë në atë drejtim”, tha ai.

Kozeta Imami nga Zyra e UNICEF-it, tha se kjo organizatë mbështet projektet që tentojnë të rritin vetëdijen në lidhje me këto dukuri negative.

Imami: Shëndetin mendor e konsiderojmë si çështje të rëndësishme

“Shëndeti mendor e konsiderojmë si një çështje shumë e rëndësishme dhe përmes aktiviteteve të ndryshme ku me këtë rast me partnerin tonë LENS kemi tentuar që sado pak të mundohemi të rritim vetëdijen, por edhe në të njëjtën kohë të ofrojmë përmes linjës së jetës dhe të jemi sa më afër të gjithë banorëve të Kosovës”, tha Imami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat