​Sot hapen kufijtë tokësorë dhe sektori i gastronomisë, çerdhet në disa komuna nuk do të hapen

Kosova

​Sot hapen kufijtë tokësorë dhe sektori i gastronomisë, çerdhet në disa komuna nuk do të hapen

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 07:50
Ilustrim

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka vendosur që nga sot të hapen çerdhet, qendrat tregtare, kafiteritë, sektori i gastronomisë dhe kufijtë tokësorë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia tha se nga sot fillon faza e tretë e lehtësimit të masave, të cilat ishin marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

“Prej sot do të hapen çerdhet e kopshtet publike dhe private për moshat 0-5 vjeç. Do të hapen kufijtë kryesorë tokësorë të Republikës së Kosovës, ndërsa pas një jave do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes edhe të kufijve ajrorë. Do të hapet i gjithë sektori i gastronomisë dhe shërbimeve të ngjashme, do të hapen qendrat tregtare. Do të kthehen në punë gjithë zyrtarët publikë në gjitha nivelet institucioneve. Do të hapen të gjitha veprimtaritë e barnatoreve dhe do të fillojnë aktivitetin taksitë. Natyrisht të gjitha këto aktivitete janë të mundshme vetëm me masat mbrojtëse konform rekomandimeve të IKShP-së dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha Vitia.

Menjëherë kanë reaguar kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ai i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë njoftuar se sot nuk do të hapen çerdhet për shkak se nuk kanë njoftime zyrtare se sit ë veprojnë gjatë kësaj faze.

Vitia bëri të ditur se në shkollë do të rikthehen nxënësit e klasave të nënta, si dhe do të organizohet testi i arritshmërisë më 23 qershor dhe ai i maturës, më 4 korrik.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë në detyrë, asnjë maune nga Serbia nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në dokumente nuk është emri “Republika e Kosovës”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se marrja e këtij vendimi nuk është taktikë politike, por kundërpërgjigje ndaj Serbisë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në këtë konferencë për media po ashtu ka deklaruar se Kosova ka qenë më e rrezikuara në rajon që nga 13 marsi nga Covid-19. Pasi siç tha ai, sektori i shëndetësisë u gjet në kushte jo të mira për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Ai deklaroi se rreziku, përkundër lehtësimit të masave, nuk ka kaluar dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbrohen.

Ndërkohë, janë regjistruar 13 raste të reja me COVID-19 në Kosovë dhe dy të shëruar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat