​Zemaj në Vushtrri: Respektoni rekomandimet sepse pandemia në Kosovë nuk ka përfunduar

Kosova

​Zemaj në Vushtrri: Respektoni rekomandimet sepse pandemia në Kosovë nuk ka përfunduar

Më: 6 qershor 2020 Në ora: 16:34
Armend Zemaj

Në vazhdën e takimeve në ditët e para të punës, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pasditen e sotme ka vizituar komunën e Vushtrrisë, për të parë nga afër menaxhimin e pandemisë në këtë komunë.

I pari i Shëndetësisë, theksoi se pandemia është akoma e pranishme në vendin tonë, andaj nga qyteti i Vushtrrisë ai i bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat në mënyrë që sa më shpejt të kthehen në normalitet.

Zemaj: Pandemia në Kosovë nuk ka përfunduar

“Pandemia në Kosovë nuk ka përfunduar, Vushtrria është e njohur për menaxhim efikas por infektimet kanë vazhduar. I bëjë thirrje qytetarëve të ndihmojnë në këtë aspekt dhe të kthehemi në normalitet, kthimi në normalitet nënkupton lëvizjen e lirë, zhvillimin ekonomikë dhe zhvillimin e jetës publike dhe private. Jemi të interesuar që brenda këtyre orëve të ndryshojmë për të mirë, por sot këtë mesazh kemi dashur ta përcjellim nga këtu, duke theksuar se mos kujdesi dhe mos respektimi i rekomandimëve të institutit mund të na sjell në regres”, deklaroi ai.

Ndërsa Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se shtimi i rasteve të reja me Covid-19, në këtë komunë ka ardhur si pasojë e testimeve të mëdha.

I pari i Vushtrrisë theksoi se, komuna që ai udhëheq ka pasur shumë pak staf mjekësor për menaxhimin e pandemisë, derisa bëri të ditur se deri sot janë testuar rreth 500 qytetarë.

Tahiri: Vushtrria sot po përballet me një situatë më të rënduar

“Vushtrria sot po përballet me një situatë më të rënduar për sa i përket numrit të pacientëve, por deri te ky numër ka ardhur si pasojë e testimeve të mëdha, që janë bërë në Vushtrri. Prej fillimit të pandemisë deri sot janë testuar mbi 500 qytetarë dhe besoj që për nga numri i banorëve qëndrojmë në vendin e parë për testet e kryera. Qëllimi jonë si shtab emergjent komunal është transparenca dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, do të mundohemi të mbrojmë qytetarët duke zbuluar virusin...Qyteti i Vushtrrisë ka pasur më pak staf shëndetësor në krahasim me numrin e banorëve për çka u dakorduam me ministrin që të procedojmë në vija ligjore që ky staf të plotësohet”, tha ai.

Kurse, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, deklaroi se situata e krijuar me Covid-19 është nën kontrollë, derisa u shpreh i bindur se, të gjitha rastet në komunën e Vushtrrisë do të shërohen.

Ramadani: Situata epidemiologjike me Covid-19 është nën kontroll të plotë

“Situata epidemiologjike me Covid-19 është nën kontroll të plotë, por sot erdhëm që në praktikë të vizitojmë edhe shtabin operativë të komunës së Vushtrrisë... Në nivel vendi tash më kemi 1 mijë e 158 raste të cilat në të dhëna statestikore paraqesin një numër në krahasim me numrin e banorëve më të volitshëm se shumë shtete të rajonit dhe botës, kjo është për t’i falënderuar çdo shtab emergjentë të të gjitha komunave të Kosovës....Në këtë drejtim ju shprehi siguri nga Instituti Kombëtar se ne do të bëjmë të pa mundurën që të gjitha rastet në komunën e Vushtrrisë do të shërohen dhe të gjitha vatrat do të mbulohen dhe do të festojmë së bashku përfundimin e pandemisë, por deri atëherë lusim qytetarët të kenë kujdes”, tha ai.

Bashkë me Ministrin në këtë vizitë ishin edhe Kryeinspektorja Shëndetësore Nora Krasniqi si dhe kryeinspektori i AUVK-së, Ibrahim Tërshnajku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat