​Haziri: Koordinimi i kryetarëve të regjionit të lindjes ka bërë që të parandalohet përhapja e COVID-19

Kosova

​Haziri: Koordinimi i kryetarëve të regjionit të lindjes ka bërë që të parandalohet përhapja e COVID-19

Më: 10 qershor 2020 Në ora: 16:31
Kryetarët e Regjionit të Lindjes, janë takuar sot në Gjilan

Kryetarët e Regjionit të Lindjes, janë takuar sot në Gjilan për të diskutuar masat dhe koordinimin e plotë për parandalimin e pandemisë Covid-19 dhe miratimin e raportit të AZHR-Lindje për 2019.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se kryetarët e komunave ishin vija e parë e koordinimit dhe angazhimit maksimal në parandalim dhe mobilizim kundër koronavirusit.

“Jemi regjioni me koordinimin më të mirë në luftën kundër pandemisë Covid-19. Që nga Kamenica e deri në Komunën e Shtërpcës, duke përfshirë edhe të gjitha komunat tjera, kemi arritur bashkëpunimin dhe involvimin e të gjitha institucioneve lokale e regjionale në parandalim të virusit. Në këtë periudhë kohore në vazhdimësi kishim një bashkëpunim të mirë ndërkomunal dhe së bashku kemi bërë që burimet e infeksionit të jenë sa më të vogla dhe minimale, me infeksion gjithnjë në rënie”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka thënë se me koordinimin e përbashkët është mundësuar që të mos ketë bartje të infeksionit nga një komunë në tjetrën.

Haziri ka potencuar se në këtë fazë të përballjes me pandeminë, AZHR-Lindje ka menaxhuar me një staf të limituar, mirëpo është konfirmim sipas tij i kryetarëve të regjionit që ta mbajnë agjensionin, si mekanizëm për zhvillim regjional.

“AZHR-Lindje është mekanizëm i cili ka impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin regjional dhe është zotim i kryetarëve të komunave që të jenë aktiv dhe mbështetës, sepse kështu është një lidhje e direkte mes orientimit të fondeve qeveritare por edhe bashkëpunimin me donatorët dhe investitorët e shumtë të fondeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.

Ndërsa Sokol Haliti, kryetar i Komunës së Vitisë, tha se ky është një regjion kompakt dhe i koordinuar në vazhdimësi si para, gjatë dhe pas pandemisë, duke qenë unik dhe solidar me njëri-tjetrin.

“Shpresojmë se qeveria qendrore do t’i marrë për bazë kërkesat tona, për t’i mbuluar deficitet financiare. Ne jemi obligues karshi qytetarëve që t’i kryejmë nevojat dhe obligimet në investime dhe zhvillimit në përgjithësi”, tha ai.

Qendron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës ka thënë se institucionet në nivelin lokal janë duke e bërë të pamundurën me kapacitetet që i kanë, por ka bërë thirrje te qytetarët dhe komuniteti i biznesit që të jenë më vigjilent dhe të përdorin në vazhdimësi masat mbrojtëse në përballejn me pandeminë.

Svetislav Ivanoviq, kryetar i Novobërdës, ka falënderuar angazhimin që është bërë në nivel të regjionit të lindjes për të tejkaluar gjendjen me pandemi, derisa ka ofruar bashkëpunim të plotë në zhvillimin e regjionit dhe normalizimin e jetës në përgjithësi.

E Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, ka spikatur vështirësitë që kishin si komunë e vogël në menaxhimin e situatës në pikën kufitare me Maqedoninë e Veriut me staf të vogël të shëndetësisë primare, derisa ka falënderuar komunat të cilat kanë asistuar me personel shëndetësorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat