22 vite që nga formimi i Shtabit të UÇK-së në fshatin Kçiq i Madh- Mitrovicë

Kosova

22 vite që nga formimi i Shtabit të UÇK-së në fshatin Kçiq i Madh- Mitrovicë

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 01:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shtëpia e rrënuar nga bombardimet e shumta, e Fazli Zahitit, është dëshmi e urrejtjes së armikut serb tash e 22 vite ndaj shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Luftë kjo e cila në të gjitha komunat e vendit detyroi Ushtrin Çlirimtare të Kosovës të formojnë shtabe, me qëllim të organizimit më të mirë.

“E gjitha filloi më 18 maj të 98-tës. Pikërisht data kur ne banorët e fshatit Kçiq i Madh u mblodhëm në shtëpin e Fazli Zahitit, çati që na shërbeu për formimin e shtabit”.

Kështu filloi rrëfimin e tij, Fatmir Musliu, ish-pjesëtar i marrëveshjes për mbledhjen e armatimit. Së bashku me Fatmirin, pjesëtar të kësaj marrëveshje ishin edhe Mehdi Zahiti, Fatmir Salihu dhe Fekë Deliu, gjithashtu edhe pjesëtar të Brigadës 141 “Mehë Uka”, brigadë kjo që operonte në Shalë të Bajgorës në Mitrovicë, në krye me ish-komandantin Hysni Ahmeti.

Fazli Zahiti dhuroi shtëpin e tij për Shtabin e UÇK-së në atë kohë, po në atë vend ku filloi të bëhej tubimi i armatimit.

Në shtab ishte marrë vendim të caktohen 5 pika që e mbulonin fshatin, për ta mbrojtur nga pushtuesi serb. Pas shpërndarjes së armatimit nëpër këto pika, u morr vendimi për roje të natës, për të cilën caktonte vetë shtabi.

“Të nesërmen pas orës 21:00, ishte e ndaluar lëvizja e popullatës pa nevoja. Çdo lëvizje që bëhej kontrollohej nga rojet e fshatit. Veçanërisht me urdhër të Komandantit të Batalionit të dytë të kësaj Brigade, Ajet Bajramin”, u shpreh Mehdi Zahiti, ish pjesëtar i UÇK-së.

Me kufizimin e lëvizjes së popullatës u ndalua edhe lëvizja e policisë serbe, të cilat ishin të shpeshta në fshat.

Fatmir Musliu e kujton shumë mirë atë kohë, ai tregoi se çdo herë ka mbajtur edhe shënime duke u përkujdesur njëkohësisht edhe për rendin e ditës.

“E mbaj mend urdhërin e UÇK-së nga Komanda e Shalës, atë ditë kam mbajtur rendin e ditës në të cilën përfshihej: Dorëzimi i domosdoshëm i armatimit dhe municionit nga ora 09:00; Grumbullimi i mjeteve për furnizimin e UÇK-së; Regjistrimi i ushtarëve vullnetar; Caktimi prej çdo lagjeje nga 1 anëtar për informime të ndryshme”, tha Musliu.

Rendi i ditës i shkruar nga Fatmir Musliu, më 21.05.1998

Image

Shënime të tilla ka pasur edhe për rastet e ndodhura në fshat. Nëse aty ka pasur qarkullim të njësive paramilitare serbe, ndonjë parregullësi,  apo përleshje. Ndërsa nëse diçka e tillë ka ndodhur fshatarët janë obliguar t’i përcjellin policinë serbe deri në momentin që tentonin te hynin në ndonjë shtëpi, atëherë fshatarët ishin të lirë të intervenonin e të ndërrmernin masa.

Për Fatmirin dhe Mehdiun muaji korrik i 98-tës ishte edhe më i vështirë.

“Data 7 korrik gjithmonë më kujton provokimin nga ana e policisë serbe, në lagjen e ashtuquajtur lagjja e Bullojve ku serbët provokuan një të moshuar nga fshati ynë. Ku sipas Sokolit, i cili ishte dëshmitar okular, prezent nga fshati ynë,” tha Mehdiu.
Sipas Sokolit, dëshmitar okular, në atë rast kishin qenë 30 policë, një tenkë, një picgaver dhe një veturë civile. Këtë rast, Sokoli e kishte lajmëruar tek Fatmiri gjatë rrugës për në shtëpi.

Rasti në lagjën e Bullonjëve, më 06.07.1998

Edhe pse kohë lufte dhe vështirësit për jetesë ishin të mëdha, Fatmiri tregon se si bashkëfshatarët çdo herë treguan zemërgjerësin që kishin.

“Për nga personaliteti dhe zemërgjerësia që kanë pas fshatarët, e kanë vendos që çdo ditë nga një lagje me ja qu bukën ushtarëve në fshatin Rashan. Ata kanë dergu atë që e kanë pas mundësi me e dhan, dikush një bukë, dikush trejte, miell, ujë por edhe para. Më kujtohet shumë mirë që vinin çdo ditë me iniciativë vullnetare, duke u përkujdesur për ushtarët me çdo mundësi që kishin ata”, u shpreh ai.

Fatmir Salihu, gjithashtu pjesëtar i shtabit, tha se për ta nuk ishte pritesë asnjëherë ndihma dhe se mundoheshin sado pak tua lehtësonin punët ushtarëve, e sidomos atyre që ishin gjatë gjithë kohës duke shërbyer në shtabin e formuar në Kçiq të Madh. Madje ai tha se ishin në gjendje për vete të mos hanin bukë vetëm e vetëm që ushtarët të jenë të ushqyer mirë.

Salihu gjithashtu theksoi që shtabi i tyre ka ndarë 370 dinar gjatë kësaj periudhe. Ndihmat e tjera i kanë shpërndarë herë me ndonjë kalë dhe herë me mjete tjera që mund t’i siguronin.

Ndërsa, Mexhide Shosholli ishte një ndër infermieret që kontriboi gjatë luftës. Ajo u përkujdes shumë herë për gra shtatzëna duke iu dhënë ndihma mjekësore.

Në muajin gusht fshati filloi të mbushej edhe me refugjatë nga vise të ndryshme duke përfshirë edhe Drenicën, por për të mos u rrezikuar popullata shumë e madhe ky shtab ndërpren aktivitetin. Kështu Mehdiu ndërron pikën dhe i bashkangjitet kompanisë në fshatin Pasomë, ku ai gjatë gjithë luftës me ofenziva vazhdon aktivitetin e tij si ushtarë i UÇK-së.

Gjatë granatimeve që u bënë në regjionin e Shalës duke mos pasur mundësi që të thyhen pikat e UÇK-së, forcat serbe granatojnë edhe fshatin Kçiq i Madh. Për këtë u rrëfye Mehdiu ku tha se arsyeja e sulmit në fshatin Kçiq i Madh, ishtë pikërisht shkatërrimi i shtëpis ku mblidhej shtabi. Nga sulmi i forcave paramilitare serbe drejtuar shtabit, pësojnë fqinjët e tij ku kishte edhe viktima, ndër to 8 të vrarë dhe disa të plagosur.

“Për fat të keq gjatë granatimeve unë dhe familjarët e mi ishim aty. Kjo bëri që unë ta humb njërën dorë ndërsa motra ime këmbën, e tani ato i kemi të zëvendësuara me materiale plastike,” tha E.B banor i fshatit dhe invalid i luftës. Ndërsa për motrën e tij ajo kohë ishte e tmerrshme dhe skenat që ata përjetuan i ka ende para syve.

Duke marrë parasysh formimin e këtij shtabi, nevojat për aktivitetet që ka ndermarrë, ndihmat që ka ofruar, ky shtab asnjëherë deri sot nuk u kujtua panvarësisht rëndësis që pati në atë kohë.

Image

DOSJE E PUNUAR NGA:
DONJETA ZAHITI dhe
ALTIANA ZOGAJ

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat