Komuna e Skenderajt lidh marrëveshje me USAID-in për mbështetjen e të rinjve

Kosova

Komuna e Skenderajt lidh marrëveshje me USAID-in për mbështetjen e të rinjve

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 15:30
Foto nga takimi

Përfaqësues të Komunës së Skenderajt kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Programin “Up to Youth” të USAID-it për mbështetjen e të rinjve.

Marrëveshjen e nënshkruan nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku e Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Abdyl Ymeri, me drejtorin e Programit “Up to Youth”, Daniel Cruz, të USAID-it.

Në kuadër të këtij projekti do të realizohet një projekt pesëvjeçar i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i cili ka për qëllim përfshirjen e rinisë, duke i mobilizuar dhe angazhuar ata për të bërë ndryshime të caktuara.

Pjesë e këtij programi do të jenë të rinjtë e moshave 15-24 vjeç, të cilët do të ndahen në dy grupe të moshave 15-18 dhe 18-24 vjeçare, duke zhvilluar aktivitete të caktuara për këto mosha.

Nënkryetari i komunës, Nuredin Lushtaku, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që ka pasur komuna deri me tani me organizatën USAID, duke treguar gatishmëri edhe për përkrahje të mëtutjeshme nga komuna për realizimin e këtyre projekteve.

“Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me ju, për të mirën e të rinjve të Skenderajt, të cilët për shkak të historisë së luftës se fundit në Kosovë, jam i vetëdijshëm se e kanë me së të nevojshme përfshirjen e tyre në trajnime të ndryshme”, tha nënkryetari Lushtaku.

Nga ana tjetër drejtori i Programit “Up to Youth”, Daniel Cruz deklaroi se qëllimet kryesore të këtij memorandum bashkëpunimi janë:

· Mobilizimi i rinisë për të qenë forcë e ndryshimeve pozitive

· Zhvillimi dhe demonstrimi i shkathtësive të buta/jetësore për rininë

· Zhvillimi, ndërtimi dhe mbështetja e partnerëve të qëndrueshëm për kultivimin e një mjedisi ku rinia mund të përfshihet.

Pjesë e realizimit të këtij projekti do të jetë edhe Qendra Rinore e komunës së Skenderajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat