Malisheva shënon ditën e çlirimit dhe ditën e dëshmorëve

Kosova

Malisheva shënon ditën e çlirimit dhe ditën e dëshmorëve

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 16:13
Pamje nga vendi i ngjarjes

Komuna e Malishevës, me disa aktivitete të kufizuara, sot po shënon ditën e saj më të shenjtë, 16 Qershorin, Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve, pasi kjo datë lidhet me rënien e dëshmorit të parë dhe dëshmorit të fundit dhe me ditën e çlirimit përfundimtar të Malishevës. Aktivitetet festive të këtij vitit, janë të kufizuara për shkak të pandemisë.

Për shënimin e 16 Qershorit, Kuvendi i Komunës së Malishevës, e ka mbajtur një mbledhje solemne, si dhe janë ndarë çmimet tradicionale, për trimëri dhe heroizëm, për kontribut në shkollën shqipe dhe për kontribut në shëndetësi. Më pas janë bërë nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleçkë, si dhe nderime pranë lapidarit të dëshmorit të parë, Imer Karsniqi.

Në mbledhjen solemne të mbajtur me rastin e shënimit të 16 Qershorit, fjalë rasti kanë mbajtur, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, në Malishevë, Metush Kryeziu.

Kryetar i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, foli për vlerat historike dhe rrugëtimin e Malishevës, deri në çlirimin përfundimtar të saj. “Malisheva ka pasur një histori të veçantë prej komunave tjera, pasi disa herë është formuar dhe është shpërbë komuna, ndërsa përpjekjet për liri nuk janë ndalur asnjëherë, për tu kurorëzuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për tu çliruar përfundimisht nga okupimi qindra vjeçar. Meritë për këtë ditë kanë të gjithë dëshmorët e kombit, martirët, veteranët e luftës dhe e tërë popullata e Malishevës”, tha mes tjerash në fjalën e tij, i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Kryetari Begaj foli edhe për përpjekjet në ndërtimin e Malishevës në këto 21 vite, si dhe për sfidat me të cilat është përballur në këtë rrugëtim.

Ndërsa kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, i cili gjithashtu foli në mënyrë kronologjike për rrugëtimin e Malishevës, deri në çlirimin e saj, pati edhe kërkesa në emër të Kuvendit të Komunës. Gjatë fjalimit të tij, kryesuesi Morina, kërkoi që të gjenden dhe të ndëshkohen kryesit e masakrave në territorin e Komunës së Malishevës, ndërsa si kërkesë e dytë për qeverinë vendit, ishte kthimi i Malishevës, në regjionin e Prizrenit, pasi kjo është një lidhje e natyrshme.

Metush Kryeziu, në emër të organizatave të dala nga lufta, tha se “sot është dita më e veçantë për Malishevën, dita e çlirimit, e dëshmorit të parë dhe dëshmorit të fundit, por ne si kategori të dala nga lufta jemi të nëpërkëmbur dhe situata e veteranëve është e pakënaqshme”, dhe kërkoi më shumë kujdes. “Një komb që nuk ka dëshmorë është i mjerë, por më i mjerë është ai komb që ka dëshmorë dhe nuk i respekton ata”, tha Kryeziu.

Më pas, është zhvilluar edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve, ku me vendim të Kuvendit të Komunës, me çmimin për trimëri dhe heroizëm “Imer Krasniqi”, janë nderuar Ismet Kafexholli dhe Avdi Gashi, kurse me çmimin për kontribut në shkollën shqipe “Hamdi Berisha”, janë nderuar mësuesja Fatmire Bogiqi (pas vdekjes) dhe Xhemajli Bytyçi, ndërsa për kontribut në shëndetësi “Dr.Shpëtim Robaj”, janë nderuar mjeku Mexhid Toplana dhe infermieri i pensionuar Hajrë Mazreku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat