​KGJK aprovon shpalljen e konkursit të brendshëm për departamentet speciale

Kosova

​KGJK aprovon shpalljen e konkursit të brendshëm për departamentet speciale

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 18:49
KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), përmes aplikacionit ZOOM, ka mbajtur sot takimin e radhës, nën udhëheqjen e kryesuesit Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me diskutimin rreth gjendjes me Covid-19 në sistemin gjyqësor menaxhimit të punës në gjyqësor duke respektuar masat mbrojtëse.

Kryesuesi Çoçaj u bën thirrje gjykatave që organizimin e punës ta bëjnë në përputhje me vendimin e Këshillit, Planin emergjent për menaxhimin e krizës, vendimin e Qeverisë dhe Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19.

Anëtarët e KGJK-së aprovuan shpalljen e konkursit të brendshëm për Departamentet Speciale, tre pozita në kuadër të Gjykatës së Apelit dhe gjashtë pozita në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë.

Po ashtu, u aprovua edhe draft-rregullorja për organizimin dhe veprimtarinë e brendshme të gjykatave të Kosovës me të cilën përcaktohet organizimi, funksionimi dhe mënyra e ushtrimit të veprimtarisë së brendshme në gjykata si dhe draft plani i punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2020.

Anëtarët e KGJK-së aprovuan kërkesën e gjyqtarit Nehat Idrizi, për lejimin e angazhimit si ligjërues, si dhe kërkesën e gjyqtarit Artan Sejrani për pjesëmarrjen në bordin këshillëdhënës në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Këshilli aprovoi listën e gjyqtarëve të propozuar nga kryetarët e gjykatave për të qenë pjesë e listës së paneleve hetimore me mandat njëvjeçar.

Gjatë këtij takimi, Këshilli aprovoi njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme - SKGjK, për pensionimin e dy gjyqtarëve, një në Gjykatën Themelore në Prizren dhe një në Gjykatën Themelore në Prizren-dega në Suharekë.

Në fund të takimit, Këshilli formoi dy paneleve hetimore për dy raste disiplinore.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat