Çmimi i naftës në Kosovë, AKK fillon monitorimin e pompave në terren

Kosova

Çmimi i naftës në Kosovë, AKK fillon monitorimin e pompave në terren

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 13:50

Tashmë kur kanë kaluar mbi një muaj që kur Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka marrë vendim në lidhje me Rastin Nafta, inspektorët hetues të AKK-së kanë dalë sërish sot në terren për t’i monitoruar çmimet e derivateve të naftës në këtë treg.

Sipas AAK-së thuhet se nga monitorimet e bëra është vërejtur se tashmë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën.

“Më konkretisht, është vërejtur se dallimi i çmimit të derivateve mes kompanive në disa raste ka arritur deri në 9 centë, duke i mundësuar kështu konsumatorëve që të zgjedhin ndërmarrjet që ofrojnë çmimin më të ulët të këtij produkti apo më të lartë, bazuar në cilësinë e preferuar”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thekson se synon që të avokojë tek ndërmarrjet për respektimin e politikave të konkurrencës dhe është e interesuar që kurdo që është e mundshme të evitohen dënimet.

Në këtë kontekst, AKK shprehet e kënaqur për vetëdijesimin dhe disiplinimin e ndërmarrjeve të këtij tregu dhe fton të gjitha ndërmarrjet që të respektojnë politikat dhe ligjet e konkurrencës.

Mes tjerash, Autoriteti i Konkurrencës thotë se do të vazhdojë monitorimin sistematik të tregut dhe fton të gjithë konsumatorët dhe aktorët e tjerë që të lajmërojnë çfarëdo rasti që ata mund ta konsiderojnë si shkelje e konkurrencës.

Duhet theksuar se nga mesi i muajit mars çmimi i naftës në Kosovë ka rënë në nivelet më të ulëta që mbahet mend ndonjëherë,  pasi kërkesa për naftë të papërpunuar është zvogëluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

E pandemia ka gjunjëzuar edhe tregun e naftës në Kosovë. Naftëtarët Kosovë kanë folur për rënien që ka pësuar kompanitë e tyre.

E sikur mos të mjaftonte goditja nga pandemia, në muajin e kaluar Autoriteti i Konkurrencës ka shqiptuar 4 milionë euro gjobë ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës në Kosovë.

Këto gjoba erdhën pasi që Autoriteti i Konkurrencës pretendon se të gjitha këto kompani kishin kurdisur çmimet e naftës.

Në një paraqitje për media kreu i AKK-së, Valon Prestreshi, ka treguar se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim, e kane çrregulluar konkurrencën në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat