​Bordi i përkohshëm i KEK-ut propozon revitalizimin e Termocentralit Kosova A

Kosova

​Bordi i përkohshëm i KEK-ut propozon revitalizimin e Termocentralit Kosova A

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 21:54
Ilustrim

Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut në mbledhjen e sotme ka propozuar revitalizmin dhe modernizimin e Termocentralit Kosova A, dhe është dakorduar për fillimin e procedurave për studimin paraprak të fizibilitetit.

Në një komunikatë për media thuhet se Bordi i KEK-ut ka përcaktuar edhe objektivin tjetër për përmbushjen e përgjegjësive mjedisore duke synuar pajisjen me lejen e integruar mjedisore sipas legjislacionit në fuqi dhe në përputhje me standardet mjedisore.

Bordi i përkohshëm njëzëri u pajtua që të krijohet një fond për 20 bursa universitare dedikuar për të rinjtë nga Kosova që studiojnë në degët deficitare dhe strategjike për KEK-un.

Në këtë takim gjithashtu është vendosur që si përkrahje ndaj Komunës së Obiliqit dhe asaj të Fushë Kosovës, të themelohet një program në Qendrën e Trajnimeve të KEK-ut për trajnimin e 100 të rejave dhe të rinjve të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme profesionale në lëmenjtë përkatës deficitarë për KEK-un.

Bordi u pajtua për angazhimin zyrtar të konsulencës së USAID-it për të ndihmuar në hartimin e strategjisë së ndërmarrjes dhe ngritjen e kapaciteteve në sektorin e burimeve njerëzore, zyrës ligjore, prokurimit dhe sektorë të tjerë të KEK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat