​Reçica: 24 mijë familje kanë përfituar nga skema sociale gjatë kësaj periudhe

Kosova

​Reçica: 24 mijë familje kanë përfituar nga skema sociale gjatë kësaj periudhe

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 16:23
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Janë 24 mijë familje të cilat kanë përfituar deri më tani nga skema sociale, në vlerë prej 7 milionë e 650 mijë euro. Derisa janë mbi 5 mijë të tjerë të cilët kanë përfituar asistencë prej 130 eurove, persona këta të cilët nuk kanë pasur të hyra në familjen e tyre gjatë kohës së pandemisë.

Kështu ka njoftuar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Reçica tha se si qeveri kanë paraparë një pako për rimëkëmbje ekonomike, e cila ndër të tjera mbështet punësimin që të ndikojë në rritje të punësimit edhe në këto kushte.

Ai tha se pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha në mirëqenie sociale, pasi sipas tij gjendje jo e mirë ka qenë edhe para përhapjes së korona virusit.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgjegjëse tani në zbatimin e tri masave të nxjerra nga Qeveria e Kosovës. Reçica ka treguar se sa qytetarë kanë përfituar gjatë kësaj kohe në skemat sociale, pensionale dhe të pagesave të asistencës mujore.

Reçica: Numri i familjeve që kanë përfituar nga mbështetja shtesë është 24 mijë

“Mund të them që për këtë shumë është alokuar mjete deri në 7 milionë euro e 650 mijë euro. Numri i familjeve të cilat kanë përfituar nga kjo mbështetje shtesë është 24 mijë familje. Ajo që dua t’iu njoftojë rreth kësaj mase është që ne si ministri bazuar në vendimin e qeverisë për muajin qershor nuk kemi ndonjë obligim ndaj kësaj kategorie sepse kështu është paraparë me vendimin e qeverisë së mëhershëm. Masa dy, është masë që ka shumë prej 30 euro për të gjithë ata përfitues të skemave pensionale dhe benificioneve të tjera, vlera e të cilit nuk ka kalon 100 euro. Është paraparë një shumë prej 13 milionë eurove, e cila duhet të kompensohet si pagë shtesë ose si mjete shtesë për këto kategori”, ka deklaruar ai.

Reçica ka folur edhe për masën 15, pagesë e asistencës mujore prej 130 eurove për të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë të hyra në familjen e tyre. Ku sipas tij, deri më tani kanë aplikuar mbi 60 mijë qytetarë, mbi 50 mijë janë duke u verifikuar, mbi 7 mijë janë në proces të regjistrimit nga qendrat e punës sociale, ndërsa mbi 5 mijë tani më kanë përfituar nga kjo masë.

Reçica u zotua se si qeveri kanë paraparë një pako për rimëkëmbje ekonomike, e cila ndër të tjera mbështet punësimin që të ndikojë në rritje të punësimit edhe në këto kushte.

Reçica: Objektivi ynë është që të subvencionojmë kompanitë

“Objektivi ynë është që përmes kësaj mase të subvencionojmë ato kompani, dhe ato biznese të cilat janë në gjendje të pranojnë punëtorë të regjistruar si punë-kërkues me qëllim që sado pak të lehtësohet mirëqenia e tyre me të ardhurat të cilat ata mund të bëjnë me ato punësime.... (16:20) Jemi në linjën e hartimit të strategjisë me veprime konkrete për planin e veprimit në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve për rimëkëmbje ekonomike”, shtoi Reçica.

Ndërkohë, kryetarja e komisionit, Albena Reshitaj tha se është shqetësuese që pandemia ka ndikuar shumë në shërbimet sociale, dhe humbjen e vendeve të punës.

Reshitaj: Pandemia në Kosovë ka ndikuar edhe në mirëqenien e familjeve

“Shqetësuese është që përveç ndikimeve në shëndet, pandemia në Kosovë ka ndikuar edhe në mirëqenien e familjeve, kryesisht përmes uljeve të vendeve të punës dhe të ardhurave nga punësimi në sektorët më të prekur. Si dhe pakësim të remitencave të dërguara nga jashtë për shkak të mbylljes së kufijve. Lidhur me këtë ne si komision do të dëshironim të informoheshim se ju si udhëheqës i kësaj ministrie, cilat kanë qenë vendimet dhe veprimet konkrete që keni ndërmarrë e që sa do pak kanë ndikuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Reshitaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka tha se plani për punësim duhet të jetë në interes të të rinjve dhe tregut të punës. Ndër të tjera, pati kritika se ministri po raporton para anëtarëve si në fushatë zgjedhore.

Uka: Orientimi në vetëm vendet e reja të punës është gabim në vete
(Video) 42:49’...
“Orientimi në vetëm vendet e reja të punës edhe përpjekjeve për të përshtatur me kërkesat e tregut të punës është një gabim në vete. Në vend të kësaj ne duhet të përpiqemi edhe tregun e punës ta stimulojmë në aso lloj forme që pastaj të bëhen pozita të caktuara dhe më atraktive për ata që dëshirojnë të studiojnë”, theksoi ai.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale,Skënder Reçica tha se prioritet i tij do të jenë shtesat për fëmijë deri në moshën 18 vjeçare. Veç tjerash u zotua se do të bëhet ndryshimi i ligjit, ku veteranët e dal nga lufta të kenë mundësi të punojnë në sektorin privat, dhe të marrin pensionin.

Reçica gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit, ka deklaruar se gjatë mandatit të tij synojnë të largohen kriteret diskriminuese për përfitim nga asistenca sociale. Ai u zotua se do të stimulojnë familjet për të kërkuar punë që përfitojnë nga asistenca sociale. Ai është pyetur edhe për personat me aftësi të kufizuara, ku ka pranuar se nuk po zbatohet ligji që çdo i pesëdhjeti punëtor në institucion publik të jetë i kësaj kategorie. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat