​Raporti i ri: Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në sigurinë kibernetike

Kosova

​Raporti i ri: Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në sigurinë kibernetike

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 12:13
Foto ilustrim

Kosova është përmirësuar në shumë fusha të kapacitetit të sigurisë kibernetike dhe ka një kuptim gjithëpërfshirës të mangësive ekzistuese dhe mundësive për ndërtimin e kapaciteteve në vitet e fundit, thotë raporti i ri i vlerësimit të sigurisë kibernetike.

Raporti përdorë metodologjinë e Modelit të Pjekurisë së Kapacitetit (CMM) të Sigurisë Kibernetike për Kombet, të zhvilluar nga Qendra Globale e Sigurisë Kibernetike (GCSCC) të Universitetit të Oksfordit.

Ky është vlerësimi i dytë i tillë nga hulumtuesit e GCSCC në Kosovë dhe u krye me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit. Aktiviteti fillestar u realizua në vitin 2015, duke e bërë kështu Kosovën shtetin e parë në tërë botën që e ka pilotuar CMM-në dhe më pas i është nënshtruar rivlerësimit të CMM-së.

Vlerësimi i ri zbuloi se Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në ndërtimin e kapacitetit të sigurisë kibernetike, në veçanti duhet të ceket se ajo e ka miratuar

Strategjinë e saj të parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike (SSK).

Raporti i CMM-së i vitit 2019 tregoi që SSK i ka dhënë shtytje një reforme legjislative ambicioze, duke përfshirë riorganizimin e thellë të legjislacionit për krimin kibernetik, hartimin e një ligji gjithëpërfshirës ombrellë për sigurinë kibernetike dhe krijimin e bazës ligjore për identifikimin e infrastrukturës kritike shtetërore.

Hulumtuesit arritën në përfundimin se duhet të ruhet ky vrull për ta mundësuar zbatimin e plotë të këtyre nismave legjislative. Rëndësia e njëjtë duhet t’i kushtohet për të siguruar se strukturat e krijuara siç është KOS-CERT i kanë resurset dhe përkrahjen në dispozicion për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre. Kjo pika e fundit vlen edhe për institucionet tjera si Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kanë nevojë për përkrahje shtesë për ta zbutur problemin e ruajtjes së talenteve në Kosovë dhe mungesën e profesionistëve të kualifikuar në TIK dhe në sigurinë kibernetike.

“Forcimi i sigurisë kibernetike është një hap thelbësor për të siguruar se të gjitha sistemet dhe infrastruktura TIK punojnë së bashku në mënyrë të sigurt. Ne i kemi marrë seriozisht rekomandimet nga Modeli i parë i Pjekurisë në Siguri Kibernetike dhe kemi bërë përparim domethënës në fushën e politikave”, tha Agim Kukaj, drejtor i Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative dhe drejtor i Projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE) në Ministrinë e Ekonomisë dhe Mjedisit.

“Rivlerësimi nuk është vetëm një udhëzues për përmirësime të mëtejshme, por është edhe një mënyrë për t’i kuptuar më mirë pikat e forta dhe të dobëta në mënyrë krahasuese”, ka shtuar ai.

Ky vlerësim u krye në kuadër të Programit Global të Kapacitetit për Siguri Kibernetike II, për të cilin financimi erdhi nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Koresë, përmes Instrumentit të Partneritetit Kore-Grupi i Bankës Botërore, që administrohet nga Banka Botërore.

“Rishikimi i CMM-së për 2015 dhe Rivlerësimi i CMM-së për 2029 - i pari i kryer globalisht - kanë përkuar gjerësisht me fillimin dhe mbarimin e ciklit të Strategjisë së parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike. Si i tillë, rishikimi i dytë i CMM-së dha mundësi të shkëlqyeshme për ta vlerësuar përparimin në drejtim të një baze të fortë dhe t’i përcaktojë prioritetet për një strategji pasuese”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat