Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza të punës për Kroaci

Kosova

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza të punës për Kroaci

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 13:26
Foto Ilustrim

Ka dështuar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndaj të akuzuarit për mashtrim, Milaim Shkodra.

Si arsye e mos mbajtjes së kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Shkodra.

Gjykatësi Sadri Krasniqi ka njoftuar se, nga fletëkthesa e gjykatës janë njoftuar se i akuzuari momentalisht gjendet jashtë vendit, përkatësisht në Gjermani.

Seancën tjetër gjykatësi Krasniqi e ka caktuar të mbahet më 5 gusht 2020, në ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Milaim Shkodrës, me arsyetimin se ai në javën e fundit të vitit 2018, në kohë të papërcaktuar në Kamenicë, në rrugën përballë çerdhës, në një lokal të hapur të ish-objektit të bankës NLB, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxitë një person që të kryej apo mos kryej një veprim në dëm të pasurisë së tij apo pasurisë së personit tjetër, raporton “Betimi per Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari të dëmtuarit Altin Berisha i premton se për një kohë të shkurtër do t’ia rregullojë vizën e punës për Kroaci, nëse ky ia dorëzon atij dokumentet e kërkuara dhe 350 euro, mirëpo vizën deri më tani nuk ia ka rregulluar të dëmtuarit edhe pse ai menjëherë ia kishte dorëzuar dokumentet dhe paratë e kërkuara.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Shkodra, më 15 janar 2019, rreth orës 10:00, tek restorant “Driloni” në Kamenicë, njëjtë kishte vepruar edhe me të dëmtuarit Valton Ahmeti dhe Sevdail Hyseni, të cilëve po ashtu u shkakton dëme secilit nga 350 euro.

Me këtë, Milaim Shkodra akuzohet se ka kryer veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat