Pas më shumë se 50 viteve, fillon zëvendësimi i gypave të azbestit në tri lagje të Kamenicës

Kosova

Pas më shumë se 50 viteve, fillon zëvendësimi i gypave të azbestit në tri lagje të Kamenicës

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 15:16
Fillon zëvendësimi i gypave të azbestit në tri lagje të Kamenicës

Komuna e Kamenicës pas më shumë se 50 viteve ka filluar projektin për zëvendësimin e gypave të Azbestit në lagjen Malësia, Iliria dhe në Berivojcë.

I pari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, e ka konsideruar si lajm tejet të mirë ndërrimin e gypave duke thënë se ky problem i kahmotshëm për banorët e Kamenicës e tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve tani po merr fund.

“Lajm tejet i mirë për komunën tone. Pas më shumë se 50 viteve, tani po bëjmë zëvendësimin e gypave të Azbestit në lagjen Malësia, Iliria e në Berivojcë. Ky problem i kahmotshëm për banorët e Kamenicës e tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve tanë, tani po merr fund. Sipas këtij projekti që ka vlerën rreth 224 mijë euro, përfshihen edhe kyçjet e rrugëve e shtëpive që ndodhen në këto lokalitete”, ka thënë Kastrati.

Kryetari Kastrati ka thënë se ky projekt është i financuar nga Qeveria Zvicerane dhe ajo e Kosovës.

“Falënderoj drejtorin e Hidromoravës, njësia në Kamenicë, Sherif Thaçin, gjithë zyrtarët nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe CDI-në, për gjithë angazhimin në këtë projekt tejet të rëndësishëm për komunën tonë. Urime të gjithëve, kurse ne vazhdojmë me punë”, ka thënë ai.

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient dhe Inspektorat, Ramadan Basha, ka thënë se ky projekt është shumë me rëndësi pasi që siguron kualitet në furnizimin me ujë të pijes.

“Ndërrimi i gypave të azbestit në Lagjen Malësia, Iliria dhe Berivojcë, është projekt me shumë rëndësi, pasi që siguron kualitet në furnizimin me ujë të pijes. Ka qenë problem i kamotshëm në këto lagje furnizimi me ujë, ku kemi pasur probleme të shpeshta nga pëlcitja e gypave, probleme këto që kanë shkaktuar edhe dëmtimin e infrastrukturës rrugore. Me përfundimin e këtij projekti, rritet kualiteti i shërbimit dhe gjithashtu ruajtja e infrastrukturës”, ka thënë ai.

Gypat do të ndërrohen në lagjen Malësia në rrugët “Dëshmorët e Kombit” dhe “Besnik Marovca”, në lagjen Iliria në rrugën “Adem Jashari”, në Berivojcë në rrugën “Bajram Curri”. Shtrirja e këtyre gypave është rreth 4900 m.

Image
Fillon zëvendësimi i gypave të azbestit në tri lagje të Kamenicës
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat