​14 anëtarë synojnë të jenë në bord të RTK-së, vetëm dy prej tyre janë gra

Kosova

​14 anëtarë synojnë të jenë në bord të RTK-së, vetëm dy prej tyre janë gra

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 18:05
Ilustrim

Kuvendi i Kosovës është duke e vazhduar seancën plenare ku pritet të emërojë shtatë anëtarë të bordit të RTK-së. Nga gjithsej katërmbëdhjetë anëtarë që janë propozuar vetëm dy prej tyre janë gra.

Kjo u kritikua nga deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila kërkoi respektimin e ligjit për barazi gjinore.

Kusari-Lila: Të respektojmë barazinë gjinore

“Sot nga dhjetë kandidatë shqiptarë që do zgjedhin nëntë janë burra dhe vetëm një grua e propozuar, nga dy kandidatët serbë të dy janë burra dhe nga kandidat tjetër nga pakicat tjera jo serbe dhe shqiptare e kemi vetëm një grua. Shtatë kandidatë do të zgjedhën dhe të paktën do të ishin tri gra që duhet të votoheshin për bordin e RTK-së. Bordi i RTK-së ka katër anëtarë aktivë, pa kuorum vetëm një grua e përkatësisë serbe. Çfarë dua të them është se të gjitha trupat që duhet të votohen nga Kuvendi i Kosovës të jenë në respektim për barazi gjinore”, tha ajo.

Meqenëse një anëtar grua tashmë është pjesë e bordit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku tha se ligji do të respektohej me rastin e përzgjedhjes së një anëtare grua.

Lushtaku: Kushtet janë të plotësuara

“Një nga katër anëtarët e bordit të RTK-së është e gjinisë femërorë kështu që kushtet janë të parapara dhe i plotësojnë që të zgjidhet edhe një anëtare së paku nga gjinia femërorë”, tha ai.

Për pesë vende të shumicës shqiptare për anëtarë të bordit të RTK-së janë propozuar Ejup Gojnvoci, Ilir Bytyqi, Fadil Miftari, Albinot Maloku, Petrit Musolli, Labinot Vata, Arlinda Azemi, Bajram Mjeku, Arian Krasniqi, Arsim Cubolli.

Anëtarët e bordit të RTK-së kanë mandatat tre vjeçar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat