Edhe një ushtar i FSK-së diplomon në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë

Kosova

Edhe një ushtar i FSK-së diplomon në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Britanisë

Më: 14 gusht 2020 Në ora: 14:18
Klevis Elezaj

Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar edhe një sukses në një prej akademive më prestigjioze ushtarake në botë. Kësaj radhe vjen nga nëntogeri Klevis Elezaj, i cili ka përfunduar me sukses trajnimin njëvjeçar në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai ka diplomuar sot ku pas ceremonisë në një intervistë ekskluzive për KosovaPress tregon se do të kthehet të vazhdojë shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe do të përcjellë tek ushtarët e FSK-së përvojën profesionale të marrë në Sandhurst.

Ditën e sotme e konsideron shumë të rëndësishme, ndërsa trajnimin njëvjeçar në Akademinë Mbretërore Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar e përshkruan si sfidë të madhe për të.

Elezaj: Trajnimi në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë sfidues

“Trajnimi njëvjeçar në këtë akademi ka qenë mjaftë sfidues duke marrë parasysh rezistencën psikike, përgatitjen dhe kalitjen fizike, gjithashtu përgatitjen ushtarake dhe strategjike qe e kemi marrë në Sandhurst, kjo është shumë fitimprurëse për ushtrinë tonë për arsye se oficerët tanë që shkollohen këtu trajnohen dhe mësojnë një doktrinë e cila është prej doktrinave më të mira në botë për udhëheqje, lidership ushtarak dhe strategji ushtarake”, thotë nëntoger Elezaj.

Nëntogeri Klevis Elezaj deklaroi për KosovaPress se kjo periudhë ishte mjaft atraktive për të, ku thekson se është pritur mjaft mirë nga britanikët prej të cilëve thotë të ketë marrë shumë njohuri.

Elezaj: Oficerët e Kosovës gëzojnë respekt në ambientet ushtarake në Sandhurst

“Në ambientet ushtarake, oficerët e Kosovës gëzojnë një respekt të madh kjo gjithmonë duke ju falënderuar performancës së lartë të oficerëve të rinj të Qendrës për Studime Universitare të cilët në të kaluarën e kanë bërë jashtë vendit, pra është ndërtuar një traditë e mirë dhe e respektueshme për oficerët tanë jashtë vendit”, thekson ai.

Shërbimin e tij në ushtri, nëntoger Elezaj do ta vazhdojë në Forcën e Sigurisë së Kosovës ku thotë se do te jap kontributin e tij në ngritjen e Forcës.

Elezaj: Do të jap kontributin tim në trajnimin e ushtarëve të FSK-së

“Unë kthehem në Kosovë më regjimentin e dytë si toger i këmbësorisë, aty do te vazhdojë dhe jap kontributin tim të trajnimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ngritjen e tyre në nivelet e ushtrisë së NATO-s”, tregon ai.

Ai shton se do të përpiqet të implementojë kulturën e ushtrisë britanike gjithmonë duke pasur parasysh atë të Ushtrisë së Kosovës.

Në këtë akademi sivjet kanë nisur shkollimin edhe dy pjesëtarë të FSK-së dhe me herët kanë diplomuar dhjetëra të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat