Avokati i Popullit publikoi raportin me rekomandime “ex-officio” në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar

Kosova

Avokati i Popullit publikoi raportin me rekomandime “ex-officio” në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 12:18
Foto Ilustrim

Avokati i Popullit, në kuadër të ushtrimit të kompetencave dhe të përgjegjësive të tij ligjore, sot publikoi Raportin me rekomandime ex-officio nr.148/2020 në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar.

Raporti me rekomandime ka për qellim tërheqjen e vëmendjes së institucioneve shtetërore për trajtimin dhe për ndërmarrjen e masave në kuadër të kompetencave dhe të përgjegjësive ligjore që i kanë në lidhje me identitetin ligjor për personat e paregjistruar.

Si rezultat, këtyre individëve tu sigurohet qasje në të drejtat civile, ekonomiko-sociale, kulturore etj., të garantuara me akte nacionale dhe me instrumente ndërkombëtare për të drejtat dhe për liritë e njeriut.

“Avokati i Popullit, pas rishikimit të legjislacionit përkatës, të instrumenteve ndërkombëtare, dokumentacionit të çështjes, të informatave dhe të të dhënave që i ka, del se në rastin konkret, mossigurimi i identitetit ligjor të personave në fjalë përmban shkelje të të Drejtave dhe të Lirive Themelore të Njeriut, përkatësisht të të drejtave të fëmijëve pasi që autoritetet përkatëse nuk i kanë përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore e as standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Republikën e Kosovës në lidhje me sigurimin e identitetit ligjore për qytetarët e saj”, thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit ka identifikuar 84 individë pa identitet ligjor, të cilët nuk mund të kenë qasje në të drejtat themelore të njeriut. Për momentin, 61 individë të moshave të ndryshme janë duke pritur zgjidhje në nivelin administrativ, 23 në nivelin gjyqësor.

Koha mesatare e pritjes për zgjidhje në cilindo prej niveleve në përputhje me sfidat e theksuar në raport mund të zgjasë nga 2 deri në 7 vjet.

Raporti jep rekomandime specifike dhe konkrete lidhur me veprimet që duhet t’i ndërmarrin institucionet përkatëse shtetërore lidhur me çështjen dhe është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat