Vuajtjet e policit Artur Mrasori në Turqi pas plagosjes në detyrë

Kosova

Vuajtjet e policit Artur Mrasori në Turqi pas plagosjes në detyrë

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 00:27
Policia e Kosovës, sot ka organizuar pritje zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për pjesëtarin e saj, Artur Mrasori

Policia e Kosovës, sot ka organizuar pritje zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për pjesëtarin e saj, Artur Mrasori, i cili ishte për shërim në Turqi për një periudhë të gjatë kohore.

Mrasori kishte pësuar lëndime të rënda në Zhur të Prizrenit, në një intervenim policor në të cilin kishte humbur jetën edhe një zyrtar tjetër policor. 

Ai fillimisht ishte trajtuar në Emergjencën e Prizrenit, për t’u bartur pastaj në QKUK për trajtimin e lëndimeve të marra, përfshirë edhe dëmtimin e syve.

Mjekët e QKUK-së kishin bërë intervenime në ndalje të gjakderdhjes dhe mbajtjen në jetë të parametrave vital. Megjithatë, grupi i eksperteve mjekësorë rekomandoi trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Policia e Kosovës, me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës dhe Ekipës Emergjente, mundësuan dërgimin e zyrtarit policor për shërim jashtë vendit.

Më 30 janar të këtij viti, Artur Mrasori u dërgua për shërim në Turqi. Atje më 31 janar iu nënshtrua operacioneve në sy, pastaj intervenimeve kirurgjike të tjera me datat: 1 shkurt , 12 shkurt, 26 shkurt dhe 11 mars, për të vazhduar më pas tretmanin rehabilitues.

Sot, 8 muaj më vonë ai u kthye në Kosovë, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe stafi komandues menaxherial i PK-së.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, u shpreh i kënaqur me ardhjen e pjesëtarit të PK-së në vendlindje. Po ashtu, Qalaj falënderoi institucionet e vendit për përkrahjen, si financiare po ashtu edhe ndihmën e mjekëve kosovarë dhe atyre turq, në trajtim të këtij rasti.

“Pos, eprorëve më të lartë policorë dhe kolegëve tjerë, për ta pritur zyrtarin policor kishte edhe shumë familjarë. Policia e Kosovës, falënderon të gjithë ata që në çfarëdo forme ndihmuan në shërimin e zyrtarit policor dhe mirëpret kthimin fillimisht pranë familjes dhe shpresojmë në kthimin e shpejtë të tij pranë kolegëve në realizim të detyrës fisnike në shërbim të qytetarëve të vendit”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat