Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri

Kosova

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për pjesëmarrje në grupe terroriste në Siri

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

I akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë vitit 2013 kishte shkuar në Siri për ushtrime ushtarake me qëllim që t’i bashkëngjitet grupeve terroriste, Nuredin Sylejmani, u deklarua i pafajshëm në seancën e mbajtur të premten, për këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 gusht 2020, nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu, ai po akuzohet se në mars të vitit 2013, përmes Turqisë kishte shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishte takuar edhe me shqiptarë të tjerë, me të cilët edhe kishte kryer ushtrime ushtarake me qellim që pastaj të kthehen në luftime për organizatën terroriste, Al Nusra. Sipas aktakuzës, grupi Al Nusra ishte njohur më vonë edhe si ISIS.

Mirëpo, këtë akuzë i akuzuari Sylejmani e mohoi në shqyrtimin fillestar që u mbajt para gjyqtarit Valon Kurtaj, menjëherë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fejzullahu.

I njëjti ishte mbrojtur në heshtje gjatë marrjes në pyetje në polici dhe prokurori.

Pasi deklarimit të të akuzuarit, gjyqtari Kurtaj e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Asdren Bytyqi, se brenda afatit ligjor mund të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 5 gusht 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nuredin Sylejmanit.

Sipas aktakuzës, Sylejmani me qëllim të bashkëngjitjes organizatave terroriste, në mars të vitit 2013, me dashje dhe vetëdije të plotë ishte larguar nga Kosova për në Stamboll të Turqisë bashkë me të dyshuarin Hamza Hyseni, i cili gjendet në arrati si dhe disa persona tjerë.

Të njëjtit, sipas aktakuzës, kishin shkuar në qytetin Idlib në Siri ku ishin takuar edhe me shqiptarë të tjerë dhe të gjithë kishin filluar ushtrimet ushtarake me qëllim që të kthehen në luftime në kuadër të organizatës terroriste Al Nusra e cila më vonë, siç theksohet në aktakuzë, ishte njohur më vonë si ISIS dhe e cila ishte shpallur organizatë terroriste nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Më 23 mars 2013, vazhdon aktakuza, i akuzuari ishte kthyer në Kosovë ndërsa të gjitha shpenzimet e udhëtimi për vete dhe për të tjerët, i kishte mbuluar vet i akuzuari.

Me këtë, PSRK e ngarkon Sylejmanin se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, par 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Sylejmani, ishte dënuar më gjashtë vjet burgim e 1800 euro gjobë, për veprat penale të armëmbajtjes pa leje dhe për sulm ndaj dy shtetaseve amerikane në një rast tjetër ku akuzohej nga PSRK. Këtë dënim të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte vërtetuar pastaj edhe Gjykata e Apelit.

Në po të njëjtin rast, Sylejmani akuzohej edhe për lehtësim në kryerjen e veprave terroriste, mirëpo, pasi fillimisht ishte liruar nga kjo akuzë nga shkalla e parë, rasti ishte kthyer pastaj në rigjykim nga Apeli pas ankesës së PSRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat