Iu zgjat për 1 orë puna, por gastronomët sërish kanë ankesa

Kosova

Iu zgjat për 1 orë puna, por gastronomët sërish kanë ankesa

Më: 26 shtator 2020 Në ora: 19:42
Foto ilustrim

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës është hequr kufizimi i lëvizjes.

Prej mbrëmë qeveria ka shfuqizuar vendimin e më hershëm ku qytetarët nuk lejoheshin të qarkullonin pas orës 22:30 deri në orën 05:00, të mëngjesit. Mirëpo, ndaj këtyre masave të reja kanë shprehur pakënaqësi përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve.

Me vendimin e ri, këtij sektori i është zgjatur orari deri në orën 23:30, pasi në të kaluarën puna lejohej deri në orën 22:30.

Mirëpo paragrafi 4, pika 2 e vendimit të ri, ndalon muzikën prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, dhe e njëjta sipas përfaqësuesve të gastronomëve është goditje e madhe për sektorin duke konsideruar gjendjen aktuale ekonomike dhe pasojat e shkaktuara nga ndalesat në ushtrimin e afarizmit, gjë që shoqata po e kundërshton dhe po kërkon që e njëjta të shfuqizohet.

Më poshtë gjeni reagimin e SHGK-së:

Në paragrafin 4 të Vendimit Nr. 01/32 të marrur mbrëmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, sqarohet rregullimi i ri i funksionimit të sektorit të Gastronomisë.
Në të tashmë u kuptua që funksionimi i subjekteve të gastronomisë, ndalohet nga ora 23:30 deri në orën 05:00, e cila ka qenë kërkesë e jona që të ndryshohet si dhe lëvizja e qytetarëve e cila tashmë është e pakufizuar në kohë. Kjo e fundit ishte kërkuar nga ne më së shumti duke u bazuar në politikat ndëshkuese me gjoba, sidomos ndaj punëtorëve të sektorit tonë, ngase të njëjtit sipas Vendimit të dt. 28.07.2020, tashmë të shfuqizuar, ishin të lejuar që në të njëjtën kohë të punojnë dhe të qarkullojnë në hapësira të jashtme si persona fizikë, duke qenë e pamundshme të respektojnë orarin e lejuar me Vendim.

Gjithashtu, lejimi i ushtrimit të aktiviteteve shërbyese në hapësira të brendshme ka qenë i shumëkërkuar dhe domosdoshmëri e kohës.

Mirëpo paragrafi 4, pika 2 e Vendimit të ri, ndalon muzikën prej orës 21:00 në subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë, dhe e njëjta është goditje e madhe për sektorin duke konsideruar gjendjen aktuale ekonomike dhe pasojat e shkaktuara nga ndalesat në ushtrimin e afarizmit, gjë që shoqata jonë e kundërshton dhe kërkon që e njëjta të shfuqizohet.

Që nga paraqitja e Pandemisë COVID-19 e deri më tani, nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtëpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe ajo me shumë lëshime në zbatimin e saj.

Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen.

E rëndë është edhe gjendja politike në vendin tonë. Kjo më së miri dëshmohet me dështimin e votimit për herë të tretë në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Gjersa partitë politike të vendit tonë gjejnë mospajtime për interesa vetanake, ne i vuajmë pasojat e veprimeve të tyre dëmshme e qesharake.

SHGK ju bën apel institucioneve përkatëse të vendit, që sa më pak të shkaktojnë dëm e regres e sa më shumë të ofrojnë ndihmë e progres në gjendjen që po kalojmë, e cila do të ndjehet edhe më shumë tani e tutje, me uljen e temperaturave atmosferike.

Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve më të goditura në vend.

Poashtu zotohemi, që me prioritet të lartë do të kujdesemi që sektori i gastronomisë do të respektojë Manualin për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19, duke shkaktuar sa më pak dëm e regres në gjendjen aktuale.

Me garancë për sektorin e gastronomisë, nuk do të ndalemi duke ju dëshmuar që për interesin e përbashkët gjithmonë do të luftojmë.

Ju faleminderit të gjithëve për përkrahjen tuaj!

Me respekt,

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat