Lopët që u konfiskuan në Karaçevë rezultojnë të shëndetshme, nis therja e tyre për të burgosurit

Kosova

Lopët që u konfiskuan në Karaçevë rezultojnë të shëndetshme, nis therja e tyre për të burgosurit

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 12:02
Foto ilustrim

Lopët që u konfiskuan të premten e 18 shtatorit në Karaçevë të Kamenicës, kanë rezultuar të shëndetshme pas analizave që iu janë bërë nga ana e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Ato kanë qenë duke u mbajtur në stallën e Burgut të Dubravës që nga ajo natë, derisa sot ka nisur therrja e tyre për të burgosurit. Me mishin e këtyre lopëve do të ushqehen edhe pronarët e tyre që aktualisht po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Se therja e këtyre lopëve ka nisur e ka konfirmuar, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Janë kthyer rezultatet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës për lopët që janë konfiskuar në aksionin e Karaçevës. 59 që kanë qenë duke u mbajtur në stallën e Burgut të Dubravës kanë rezultuar se janë të shëndetshme dhe tashmë ka filluar therja e tyre për nevoja të kuzhinave të qendrave korrektuese në vend”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës para më shumë se një jave kanë realizuar një aksion në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Aksioni është kryer nën dyshimin për bixhoz të paligjshëm, trafikim me njerëz, trafikim me armë, trafikim me narkotikë, kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.

Nën këto dyshime, janë arrestuar mbi 30 persona dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

Paralajmërime se një aksion i tillë do të ndodhte kishte dhënë vetë Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Veliu ishte thirrur dje në interpelancë në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Gjatë fjalës së tij, ai kishte treguar se si në kohën sa në krye të Qeverisë ishte Albin Kurti, kishte kërkuar që të kryenin një operacion për mbylljen e kazinove në atë pjesë, por siç thotë, Kurti nuk i kishte dhënë leje.

“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu

Ai u kthehet deputetëve me fjalët se shumë shpejt do ta kryejë këtë aksion dhe se do ta shohin.

“Në shkurt më pengoi Kurti, tash s’më ndal askush. Atë punë do ta bëj dhe ndoshta do ta dëgjoni shumë shpejt, do ta bëj”, tha dje Veliu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat