Liqeni akumulues në Verboc do të jetë jetik për qytetarët e Drenasit

Kosova

Liqeni akumulues në Verboc do të jetë jetik për qytetarët e Drenasit

Më: 30 shtator 2020 Në ora: 18:50
Liqeni akumulues në Verboc

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me stafin e tij ka pritur në takim Ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi.

Kryetari Lladrovci në këtë takim shpalosi projektet me rëndësi për qytetarët, si vazhdimin e ndërtimit të lumit Drenica dhe Verbica, impiantin e trajtimit të ujërave të zeza si dhe projektin e liqenit akumulues në Verboc.

“Me ministrin Kuqi biseduam për shumë projekte me rëndësi për qytetarët e Drenasit. Biseduam për ndërtimin dhe vazhdimin e lumit Drenica dhe Verbica, sidomos pjesa në Shtrubulllovë që ka mbetur pa u përfunduar. Diskutuam për projektin e impiantit të ujërave të zeza, liqenin akumulues në Verboc dhe projekte tjera të rëndësishme për komunën tonë. Shpresoj që bashkërisht t’i vazhdojmë takimet dhe t’i realizojmë këto projekte të rëndësishme”, është shprehur kryetari Lladrovci.

Kryetari Lladrovci ka falënderuar ministrin për vizitën dhe gatishmërinë e tij për të ndihmuar në realizimin e këtyre projekteve me rëndësi për qytetarët e Drenasit.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi konfirmoi gatishmërinë për të ndihmuar në projektet e paraqitura gjatë takimit, në përkrahje të konceptit të politikave zhvillimore të Kryetarit Lladrovci.

“Me erdhi mirë për konceptin e Kryetarit Lladrovci për politikat zhvillimore për Drenasin. Biseduam për trajtimin e ujërave të zeza, rregullimin e lumit Drenica dhe çështje tjera ambientale. Ajo çka është me rëndësi, biseduam edhe për liqenin akumulues të Verbocit, që ka rëndësi jetike për qytetarët e Drenasit. Kryetari Lladrovci ka bërë përpjekje maksimale për trajtimin e ujërave të zeza dhe ka arritur të rregulloj rrjetin e kanalizimit”, ka thënë Ministri Kuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat