VV në Podujevë: Studentët me fakultet nuk po gjejnë punë, po punësohen familjarë të zyrtarëve

Kosova

VV në Podujevë: Studentët me fakultet nuk po gjejnë punë, po punësohen familjarë të zyrtarëve

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 17:30
Aksioni i VV-së

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë nëpërmjet një aksioni para objektit të komunës ka shpalosur disa “punësime familjare” të zyrtarëve të lartë komunalë.

Këshilltari i kësaj partie, Avni Fetahu, ka thënë se kjo komunë ka bërë edhe shkelje ligjore në disa kontrata, siç janë paraqitur edhe në raportin e Auditorit, e për të cilin ka thënë se pushteti në Podujevë nuk po e sjell në Kuvend.

“Nuk është sjellë nga një nënkryetar kukull i cili dirigjohet nga Agim Veliu, dhe i cili nuk e ka legjitimitetin e votës së popullit. Përndryshe është shqetësuese se si shihet në gjetjet e Auditorit, nënshkruhen 30 kontrata pune duke e shkelur ligjin dhe duke i tejkaluar edhe afatet ligjore rreth kontratave që janë mbi vepër. Në të njëjtën kohë, nga 179 kontrata të lidhura prej Komunës së Podujevës, vetëm 5 prej tyre janë që e kanë paramasën dhe parallogarinë. Kjo do të thotë se kur nuk ekziston paramasa dhe parallogaria ekziston mundësia e keqpërdorimit të parasë publike e cila iu ka dhënë këtyre në mirëbesim”, ka theksuar Fetahu gjatë këtij aksioni.

Sipas tij, një element tjetër shqetësues është edhe eliminimi i operatorëve ekonomikë që kanë ofertën më të lirë.

“Vetëm në një rast të tillë që e ka gjetur Auditori i jashtëm, komuna e Podujevës është dëmtuar me 75 mijë e 670 euro në projektin e ndërtimit të trotuareve në disa fshatra. Me këtë shumë do të mund të ndërtoheshin së paku 5 shtëpi. Në të njëjtën kohë Instituti RIINVEST ka bërë indeksin e konkurrueshmërisë së komunave për vitin 2020 dhe paramendoni komuna e Podujevës as që ekziston fare në mesin e komunave që kanë performancë të mirë. Komuna jonë gjendet në vendin e 33 në listë, ku mbrapa lë vetëm komunat si Leposaviqi e Zubin Potoku”, është shprehur këshilltari i VV-së.

Ndërsa, tjetër shqetësim Fetahu paraqiti papunësinë.

“Një shqetësim tjetër i cili po e preokupon qytetin është edhe punësimi. Paramendoni sa studentin e kemi me fakultet dhe master edhe ata nuk po mund të gjejnë vend pune, sepse këta të dy që po i shihni (Agim Veliu dhe Nexhmi Rudari) e kanë humb kontaktin me qytetarin për jetën reale dhe janë duke e shfrytëzuar vetëm përmes Facebook-ut dhe selfive dhe duke punësuar të afërm dhe familjarë të tyre. Hiç më larg se 50 metra nga këtu është shkolla ‘Shaban Shala’ ku është i vendosur u.d. i drejtorit vëllai i nënkryetarit aktual, i cili pretendon të bëhet edhe drejtori i kësaj shkolle”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat