Zyra e Auditorit: ​Institucionet që nuk dorëzuan planet e veprimit kanë shpërfillur kërkesat ligjore

Kosova

Zyra e Auditorit: ​Institucionet që nuk dorëzuan planet e veprimit kanë shpërfillur kërkesat ligjore

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Edhe pse Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës Nr. 05/L-055 i obligon institucionet/organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit për adresimin e rekomandimeve jo të gjitha e kanë kryer këtë obligim.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, thuhet se rekomandimet e auditimit kanë për qëllim që t’i ndihmojnë institucionet publike të përmirësojnë qeverisjen dhe të rrisin kontrollet për menaxhimin me paranë publike. Mënyra e zbatimit të rekomandimeve duke përfshirë kohën, masat dhe resurset e nevojshme përcaktohen përmes Planit të Veprimit që përgatitet nga organizatat e audituara.

Sa i përket auditimit të rregullsisë nga 95 institucionet që i janë nënshtruar këtij procesi, pesë prej tyre nuk e kanë zbatuar ligjin për t’i dërguar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të auditorit.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Komuna e Deçanit, Komuna e Kllokotit, Telekomi i Kosovës si dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave “Uniteti Sh.A” Mitrovicë nuk kanë arritur t’i përgjigjen kësaj kërkese ligjore.

Ndërsa, gjendja është me e keqe te auditimet e performancës. Dhjetëra entitete që i janë nënshtruar procesit të auditimit nuk i kanë dorëzuar planet për adresimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Për raportin e auditimit “Menaxhimi i kontratave publike të ndërtimit” planin e veprimit nuk e kanë dorëzuar, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Ndërsa për raportin e auditimit “Siguria në trafikun rrugor” planet e veprimit nuk i kanë dërguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe Komuna e Prishtinës.

Për raportin e auditimit “Korniza Afatmesme e Shpenzimeve” planin e veprimit nuk e kanë dërguar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ndërkaq Ministria e Financave dhe Komuna e Prizrenit nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit për raportin e auditimit “Organizimi dhe menaxhimi i investimeve të teknologjisë së informacionit në institucionet publike”.

Kurse Komuna e Prizrenit, Pejës, Podujevës, Mamushës dhe Graçanicës nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit për auditimin “Projektet e financuara nga grantet e DEMOS”.

As komunat Mitrovicë Veriore, Zveqan dhe Zubin Potok nuk i kanë dorëzuar planet e veprimit sa i përket raportit të auditimit “Zbatimi i rekomandimeve të raportit ‘Fondi Zhvillimor’ dhe efektet e fondit.

Po ashtu edhe për raportin “Efektiviteti i programeve të veçanta për banim” nuk kanë dorëzuar planin komunat: Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë, Ferizaj dhe Obiliq.

Ndërkohë lidhur me raportin “Menaxhimi i Mirëmbajtjes së Institucioneve Publike Arsimore” planet e veprimit nuk i kanë dorëzuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës; Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit; Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Ferizajt.

Edhe për raportin e auditimit “Efektiviteti i ndërlidhjes së Arsimit dhe Aftësimit Profesional me nevojat e tregut të punës” planin e veprimit nuk e kanë dorëzuar entitetet e audituara DKA-të e komunës së Prishtinës, Prizrenit dhe Ferizajt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat