Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet

Kosova

Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 08:41
Deçani kërkon riparimin e ambientit të shkatërruar nga hidrocentralet

Aktivistët në Komunën e Deçanit nuk besojnë se rrjedha e Lumëbardhit, mund të ketë pamjen që ka pasur dikur.

Ata thonë se ndërtimi i tri hidrocentraleve ka shkaktuar dëme të pariparueshme në ambientin përreth.

Në atë që njihet si Gryka e Deçanit operojnë tri hidrocentrale: “Lumëbardhi II”, “Deçani” dhe “Beleja”, që të gjitha në pronësi të kompanisë “Kelkos Energy” sh.p.k.

Këtyre tri hidrocentraleve iu ndalua operimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), më 14 tetor, 2020, për shkak se dështuan që të pajiseshin me leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Shpresa Loshaj, një aktiviste e zëshme kundër degradimit të Lumëbardhit, shpreson që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit të obligojë ndërmarrjen “Kelkos Energy” që të rivitalizojë pjesët, që sipas saj, i ka shkatërruar vet.

 “Unë po frikohem shumë që do t’ia japin lejen mjedisore e këndej ne na thonë se nuk ja japin lejen pa i plotësuar kushtet”, thotë Loshaj e cila drejton organizatën “Pishtarët”.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet një hetim i pavarur për t’i hetuar dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve në Deçan.

Në veçanti, Loshaj, përmend dëmtimet e ambientit që kanë ndodhur në pjesën që njihet si Zalli i Rupës.

“Aty është tokë zallore dhe kanë gërryer, me miliona kubikë rërë i kanë marrë dhe duke i ndërtuar të gjitha objektet që kanë pasur nevojë, me atë rërë nga aty, pa paguar asnjë cent”, thotë Loshaj.

Nuk ka operim pa leje mjedisore

Në vendimin e ZRRE-s ë të marrë këtë javë thuhet se “Kelkos Energy” dështoi që në afatin e paraparë të pajisej me leje mjedisore.

“Për shkak se ndërmarrja [‘KelkosEnergy’ sh.p.k.] nuk ka arritur të sigurojë lejen mjedisore nga Ministria e Ambientit siç është kushtëzuar me vendimet e licencave të përkohshme, Bordi ka konstatuar se licencave ju ka skaduar afati dhe hidrocentralet në fjalë nuk ju lejohet të operojnë më tutje”, thuhet në vendimin e ZRRE-së, të datës 14 tetor, 2020.

Pajisja me leje mjedisore ka qenë kusht që ZRRE-ja e kishte vendosur për licencat e përkohshme me të cilat kanë operuar viteve të fundit tri hidrocentralet në Deçan.

Pas vendimit të ZRRE-së përmes një njoftimi “Kelkos Energy” tha se ka ndalur vullnetarisht operimin e hidrocentraleve, duke respektuar periudhën e përkohshme të licencimit e përcaktuar nga ZRRE-ja dhe se procesin e pajisjes me lejet e nevojshme e ka penguar pandemia e koronavirusit të ri.

“Kushtet e lejes për dy HEC-et e tjera Belaje dhe Deçan konsiderohen të plotësuara dhe ‘Kelkos Energy’ pret nga Ministria e Mjedisit lëshimin e menjëhershëm të lejeve mjedisore përkatëse”, tha “Kelkos Energy” në njoftim.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit për kriteret të cilat si ka plotësuar ndërmarrja “Kelkos Energy”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri ka thënë se nuk janë plotësuar disa kushte sa i takon shfrytëzimit të ujit.

“Ndërmarrja ‘Kelkos Energy’ sh.p.k. nuk është pajisur me leje mjedisore, pas konfirmimit nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Ujore, së nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me lejet ujore për shfrytëzim të ujit, po ashtu mungon leja ujore e përdorimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit thotë se leja mjedisore për hidrocentralet në Deçan do të lëshohet kur “Kelkos Energy” të plotësojë të gjithë dokumentacionin, si pëlqimet dhe lejet paraprake që ndërlidhen me ketë veprimtari.

Po ashtu, sipas këtij institucioni, është shumë e rëndësishme që të plotësohen të gjitha kushtet teknike mjedisore në përputhje me Udhëzimin administrativ, për leje mjedisore.

Komuna e Deçanit kërkon plotësimin e kushteve

Përplasje me nivelin qendror dhe vet kompaninë investuese në vitet e fundit ka pasur edhe Komuna e Deçanit.

Institucionet komunale në Deçan kanë kërkuar vazhdimisht rivitalizimin e hapësirave që janë dëmtuar nga ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se kanë katër kërkesa para se hidrocentraleve të ju lejohet operimi sërish.

Në këtë fshat, përkundër kundërshtimit të banorëve lokalë, pjesa më e madhe e ujit është futur në gypa, e që shfrytëzohet nga hidrocentralet për prodhimin e energjisë elektrike.

Hidrocentrale të tjera janë duke u ndërtuar edhe në Brezovicë.

Një përpjekje për ndërtimin e hidrocentraleve në Grykën e Rugovës dështoi pas kundërshtimit të madh të qytetarëve dhe vet nivelit komunal në Pejë.

Edhe në këtë vend, ishin planifikuar të ndërtoheshin disa hidrocentrale.

Kosova me pak ujë e shumë hidrocentrale

Sipas “CEE Bankwatch Network” që është rrjeti më i madh i organizatave mjedisore dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Evropën Qendrore dhe Lindore, në vitin 2018, hidrocentralet nën 10 megavatë prodhuan vetëm 2.7 për qind të energjisë elektrike të Kosovës.

“Kosova ka një objektiv të energjisë së ripërtërishme prej 25 për qind të pjesëmarrjes në konsumin përfundimtar bruto të energjisë deri në vitin 2020 sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Në vitin 2017, ajo arriti 22.9 për qind të energjisë së ripërtërishme duke e vendosur atë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivin e saj. Sidoqoftë, kjo u arrit më së shumti duke rishikuar të dhënat për përdorimin shtëpiak të biomasës së drurit, jo duke investuar në energji të ripërtërishme”, thuhet në raportin e CEE Bankwatch Network.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat