BE-ja: Të përmirësohet zbatimi i legjislacionit për viktimat e krimit

Kosova

BE-ja: Të përmirësohet zbatimi i legjislacionit për viktimat e krimit

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 11:46
Shënimi i Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në shënimin e Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore ka kërkuar që të përmirësohet zbatimi i legjislacionit për viktimat e krimit.

“Për fat të keq sistemi aktual në Kosovë nuk siguron asistencë të vazhdueshme për OJQ-të që kanë nevojë për t’u ofruar mbrojtje viktimave. Duhet t’i kemi në dispozicion politikat, asistencat, shërbimet për t’i ndihmuar viktimat. Legjislacioni i Kosovës është i harmonizuar me BE-në por zbatimi duhet të përmirësohet, veçanërisht sa i përket identifikimit të viktimave, duke ofruar asistencë dhe mbështetje dhe duke rritur hetimet e kryesve të veprave”, tha ai në një konferencë të përbashkët me liderët shtetëror të Kosovës.

E, presidenti Hashim Thaçi ka thënë se duhet të bashkëpunohet me shtetet fqinje që të parandalohet shfrytëzimi i Kosovës si rrugë tranzit për trafikantët.

“Si shtet i ri Kosova ka rritur të krijojë infrastrukturë ligjore që ndihmon në luftimin e trafikimit por edhe rehabilitimit të viktimave. Duhet të bashkëpunojmë me fqinjët por edhe BE-në që të parandalojmë shfrytëzimin e Kosovës si rrugë tranzitore për trafikantët”, tha ai.

Thaçi tha se bashkëpunimi me BE-në është thelbësor për të mundur trafikimin, ndërkaq shtoi se është i kënaqur me performancën e Kosovës në rolin për luftimin e kësaj dukurie.

Ai ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse që të jenë në krye të detyrës dhe pa kompromis të luftojnë dukuritë negative në shoqërinë tonë.

Ndërsa, kryeministri Avdullah Hoti tha se kapacitetet dhe ekspertiza e vendit duhet të avancohet për ta luftuar këtë dukuri.

“Parandalimi i këtij krimi specifik duhet të ndodhë me të gjitha mjetet ligjore duhet ti ndëshkojmë bartësit e këtij krimi. Kapaciteti ynë dhe ekspertiza duhet të avancohet. Rekomandimet që kemi marrë nga mekanizmat vlerësues ndërkombëtar kanë quar në hartimin e planeve të punës”, tha ai.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se sfidë po mbetet mungesa e kuptimit të këtij fenomeni nga njerëzit duke shtruar nevojën e shtimit të “kapaciteteve për mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore”.

Veliu tha se ka rënie të rasteve të trafikimit me njerëz vitet e fundit.

“Referuar statistikave të viteve të fundit ka një rënie të rasteve të trafikimit me njerëz dhe kjo ka ardhur si rezultat i institucioneve të Kosovës. Rekomandimet ndërkombëtare për luftimin e kësaj dukurie do të jenë plan i punës për ne. Policia e Kosovës ka arritur të bëjë identifikimin e 11 viktimave të trafikimit me njerëz dhe arrestimin e 59 personave”, tha Veliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat