Infektologu Izet Sadiku: Qeveria duhet të rris kontrollin e respektimit të masave

Kosova

Infektologu Izet Sadiku: Qeveria duhet të rris kontrollin e respektimit të masave

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 08:31
Izet Sadiku

Infektologu Izet Sadiku, ka thënë se rritja e rasteve, javën e fundit që ka ndodhur në Kosovë, manifestohet edhe me rritjen e kërkesave të pacientëve për trajtim në spital.

Megjithatë ai për Klan Kosovën, u shpreh se aktualisht në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 80 pacientë me koronavirus, 70% prej tyre me oksigjenoterapi.

”Tani kemi rreth 80 pacientë që janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive, prej të cilëve 70% e tyre janë me oksigjenoterapi”.

”Dy pacientë janë duke u ndihmuar me cipap, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje më të rëndë, kurse të tjerët janë në një gjendje stabile”.

”Rastet e fundit kanë treguar që kemi veç një valë të dytë në vendet evropiane. Klinika Infektive ka 120 deri 130 shtretër, pra mbi këtë numër, klinika nuk ka kapacitete të tjera për trajtim”.

”Prandaj jemi duke bërë përpjekje që numri i rasteve të reja të jetë sa më i vogël, sepse numri në rritje i rasteve të reja mbingarkon edhe stafin spitalor ku do ishte e nevojshme edhe kërkesa për masa të reja”.

”Duhet ta përmendim që Ministria e Shëndetësisë ka bërë një punësim të madh, ku së fundi ka bërë punësimin e rreth 700 punëtorëve shëndetësorë. Me të vërtetë ka qenë një ndihmesë e madhe për klinikën tonë”.

”Ndihmesa më e madhe shkon për pacientët e hospitalizuar sepse ata kanë nevojë për praninë e punëtorëve shëndetësorë”.

Pati shtrëngim të masave në dy muajt e fundit – por shifrat po rikthehen prapë, cili është apeli juaj për qytetarët tani?

”Kemi hyrë në një fazë ku shumica e veprimtarive kanë qenë të lejuara. Sa më shumë që ka pasur lirim të masave do duhej të rritej përgjegjësia e qytetarëve”.

”Rritja e numrit detyron qeverinë të aplikojë për masa të reja. Kjo dëmton edhe shkollën, ekonominë dhe qytetarët”.

”Prandaj për këtë arsye jemi në fazën që me qëllim po mundohemi ta ruajmë numrin e vogël të rasteve. Sepse kur të rritej ky numër, nënkupton mbingarkesë të spitaleve, atëherë shteti do duhej të merrte masa”.

”Jemi në fazën kur qeveria duhet të rrisë edhe më shumë kontrollin për menaxhim të respektimit të masave”.

Infektologu Sadiku ka folur edhe për gripin sezonal, ku apeli i tij qe që secili qytetar që dyshohet se ka ndonjë shenjë gripi të vetizolohet derisa të sigurohet që nuk është COVID-19.

”Për këtë arsye që secili qytetar edhe kur ka shenja gripi, të izolohet derisa të sigurohet se nuk është virus COVID-19”.

Ndryshe, sipas IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, janë testuar gjithsej 818 mostra të marra nga SHSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 130 raste pozitive.

Brenda 24 orëve është raportuar një rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv (1 rast nga Spitali i Përgjithshëm, Gjilan).

Numri total i rasteve pozitive është 17.139 raste nga 81.704 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 657 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 71 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.787 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.695.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat