Vonesat e punimeve në autostradën Prishtinë – Dheu i Bardhë, për shkak të shpronësimit dhe buxhetit

Kosova

Vonesat e punimeve në autostradën Prishtinë – Dheu i Bardhë, për shkak të shpronësimit dhe buxhetit

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 18:32
foto ilustrim

Pandemia ka ndikuar jashtë mase në ekonominë e Kosovës. Si shkas i shkurtimit të buxheti janë stagnuar punimet në autostradën Prishtinë – Dheu i Bardhë, që filluan në vitin 2018. Gjithashtu, ministria e Infrastrukturës si arsye tjetër ka renditur edhe procedurat e gjata në lidhje me shpronësimin.

Autostrada Prishtinë-Gjilan – Dheu i Bardhë do t’iu mundësojë të gjithë qytetarëve një lidhje më të shpejtë dhe më efikase të qarkullimit.

Punimet të cilat filluan në vitin 2018, sipas ministrisë së Infrastrukturës, u vonuan për arsye të procedurave në shpronësimin dhe shkurtimin buxhetor që u bë në kohë të pandemisë.

Në një përgjigje dhënë për portalin lajmi.net, nga ministria e Infrastrukturës, u theksua se kjo është arsyeja se pse ndërtimi i autoudhës Prishtinë-Gjilan, Dheu i Bardhë u vonua.

“Punimet në ndërtimin e Auto udhës-segmenti Banullë-Bresalc, kanë filluar në vitin 2018. Për shkak të vonesave në procedurat e shpronësimit dhe shkurtimeve buxhetore në kohë të pandemisë ka vonesa në realizimin e punimeve”, u tha nga MI.

Probleme në qarkullim si pasojë e punimeve kanë edhe banorët e fshatit Gllamë, të cilët tash e sa kohë iu duhet të kalojnë në rrugë tjetër, në mënyrë që të mundësohet qarkullimi.

Por, sipas ministrisë, rruga do të mirëmbahet deri në ndërtimin e nënkalimit, që është në afërsi të rrugës kyçe të këtij fshati.

“Pas përfundimit të nënkalimit do të investohet në finalizimin e rrugës lidhëse me fshatin Gllamë”, deklaruan nga Ministria e Infrastrukturës.

​Madje u theksua se autostrada e Gjilanit, do të mbetet në top-prioritetet për Ministrinë e Infrastrukturës, që të përfundohet në afate sa më të shpejta.

“Për shkak të ngecjes në shpronësime dhe mungesës së buxhetit, ministri Abrashi është duke punuar që t’iu jepet prioritet projekteve të rëndësishme, siç është autoudha e Gjilanit. Deri më tani punimet janë duke vazhduar në ato pjesë ku janë kryer shpronësimet dhe aq sa ka buxhet po punohet në finalizimin e këtij projekti”, u tha nga MI-ja.

Duhet përkujtuar që bujë e madhe ishte bërë sa i përket punime në autoudhën që lidh kryeqytetin me Gjilanin dhe pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Autostrada në fjalë parashihej të jetë e gjatë 47.1 kilometra dhe me katër korsi, duke lidhur kështu korridorin 6,7 dhe 10.

Pjesa më e madhe e kësaj autostrade parashihet të kalojë nëpër toka shoqërore të pabanuara dhe nga përllogaritjet e para ishte bërë e ditur se ka një kosto afro 260 milionë euro. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat