​Veseli në Kaçanik viziton fabrikën e investitorëve nga diaspora që do të punësojë 150 qytetarë

Kosova

​Veseli në Kaçanik viziton fabrikën e investitorëve nga diaspora që do të punësojë 150 qytetarë

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 18:55
Kadri ​Veseli në Kaçanik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar sot në Komunën e Kaçanikut ku bashkë me kryetarin e Komunës, Besim Ilazi, kanë vizituar disa biznese për t’u njohur nga afër mbi sfidat dhe punën e tyre në kohë pandemie.

Veseli ka vizituar një fabrikë betoni e cila po ndërtohet në Kaçanik nga investitorë shqiptarë të diasporës e ku do të punësohen më shumë se 150 punëtorë. Ai me këtë rast ka përgëzuar kryetarin e komunës për bashkëpunimin me investitorët në krijimin e kushteve për hapjen e fabrikës.

“Ndihem shumë krenar me punën shembull të kryetarit Besim Ilazi në Kaçanik, e cila është pikërisht ajo që i duhet Kosovës. Është një shembull i jashtëzakonshëm se si qeverisja komunale iu ofron investitorëve tanë. Kini parasysh, Zharku dhe Guri janë dy familje që po investojnë kapitalin e tyre prej miliona euro duke sjellë investime në vendlindjen e tyre. I falënderoj për këtë investim ku do të punësohen rreth 150 qytetarë. Kjo është fabrikë që do të prodhojë për Kosovën, për eksport dhe kjo është ajo që i duhet Kosovës”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari Besim Ilazi ka bërë të ditur se Kuvendi Komunal i ka siguruar parcela në shfrytëzim për 99 vjet investitorëve nga diaspora ku do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në vendlindjen e tyre dhe ku do të hapin shumë vende të reja pune.

Edhe përfaqësuesi i kompanisë investuese tha se fabrika e tyre është fabrikë betoni e cila do të prodhojë elemente të para fabrikuara të betonit. Ai tha se ky investim është nga diaspora dhe udhëhiqet nga bashkatdhetari Mevlud Zharku, i cili një kompani të ngjashme betoni e ka edhe në Gjermani.

Gjatë vizitës në Kaçanik, kryetari Veseli ka vizituar edhe projektin e agro-turizmit "Hangjiku" në Runjevë dhe fabrikën e prodhimit të mobilieve shtëpiake nga ku ka bërë thirrje për ndihma konkrete bizneseve në kohë pandemie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat