Miliona euro për tekstet shkollore me fyerje dhe bulizëm, Ministria e Arsimit hesht

Kosova

Miliona euro për tekstet shkollore me fyerje dhe bulizëm, Ministria e Arsimit hesht

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 13:10
Ministria e Arsimit

Edukimi fillon që nga fëmijëria e hershme, e për të për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë, duhet një plan i detajizuar dhe i menduar mirë nga personat kompetent, në mënyrë që rezultatet në fund të jenë të kënaqshme.

Por, një gjë e tillë nuk po vlen për ata që i shkruajnë tekstet shkollore, pasi, deri më sot kanë dëshmuar se punën po e bëjnë vetëm “shkel e shko”.

Disa prej teksteve shkollore në Kosovë, po dalin të jenë skandaloze në përmbajte.

Nuk janë të pakta rastet kur prindërit e mësuesit janë ankuar për përmbajtjet në lëndëve që fëmijët mësojnë, pasi, në tekste ka terma përçmues, bullizëm dhe fëmijët mësojnë gjëra që nuk duhet ditur në moshën që janë.

Këto ankesa deri më sot kanë shkuar në vesh të shurdhët, sepse, tekstet e tilla po operojnë akoma nëpër shkolla.

Media ka kontaktuar Enver Osdautaj, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, për të marrë qëndrimin e kësaj ministrie rreth kësaj çështje, por, ai tha se për një temë të tillë ka folur për një medie tjetër dhe se nuk dëshiron t’i flasë disa herë gjërat e njëjta.

Për përmbajtjen e teksteve shkollore nuk ka dashur të flasë as Shkëlzen Gashi, i cili së fundmi është marrë me analizimin e teksteve të tilla, ku zbuloi edhe skandalin e tre historianëve në librat e historisë në Ballkan, pasi Kosovës nuk iu përmendej flamuri e himni, gruaja kosovare u paraqit si e nëpërkëmbur dhe maskara e Reçakut u cilësua thjeshtë si konflikt.

Sidoqoftë, nëse jo për ta, kjo çështje është shqetësuese për mësuesen Aulona Bulliqi-Zhitia, në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Ajo tha se fatkeqësisht përballet me mësime jo të duhura për nxënësit e saj, por, tekstet e tilla nuk ua mëson atyre.

“Ajo çfarë bëj në rastet kur ka ndonjë tekst skandaloz është se e marrë tekstin dhe ua mësoj nxënësve SE SI NE NUK DUHET TË VEPROJMË. Pra, ia ndryshoj kontekstin kur është e mundur. Por, nëse nuk është e mundur që atij teksti të ia ndryshoj kontekstin, atëherë për mua si mësimdhënëse autonomia te cilën e posedoj me Kurrikule, me lejon që atë tekst mos t'ua shtjelloj fare nxënësve dhe ta zëvendësoj me një tekst tjetër me të përshtatshëm për ta” tha Bulliqi-Zhitia.

Tutje, mësuesja tha se është e ulët se si hartuesit e librave përdorin tekste të tilla.

“Është shume e ulët te bëhet kjo nga ata që do te duhej te shkruanin tekste të tilla, të cilat do ta bënin çdo fëmije të ndihet i lumtur që bë pjesë në një kategori të caktuar dhe të ndihet i dobishëm, i rëndësishëm dhe patjetër i barabartë në rrethin e tij. Me këtë lloj tekstesh diskriminuese ne ua ngulitim në kokë fëmijëve që nga klasa e dytë, që ata paskan një mangësi, si dhe ua ngulitim në kokë shokëve dhe shoqeve të klasës që këta fëmijë mund të etiketohen me emra te ndryshëm, ofendues e diskriminues” theksoi ajo.

E shqetësuar me atë se çka po mëson vajza e saj është edhe Venera Sylejmani.

Për Syri.net Kosova, ajo tha se ka qenë e tmerruar me një tekst që e ka parë në librin e vajzës, ku u përqeshej një vajzë me syze, duke ia krahasuar ato me dritat e veturës.

“Nuk u besoja syve kur e lexova tekstin që vajza ime mësonte. Aty shfaqej një bullizëm i qartë, pasi fëmijët po mësojnë se moshatarët e tyre që mbajnë syze, nuk janë të njëjtë me ta” shtoi Sylejamni.

Po ashtu, prindi në fjalë bëri thirrje urgjente që të ndërrohen librat dhe të mos tolerohen gabimet e tilla, madje, as gabimet drejtshkrimore.

Përmbajtja skandaloze e librave ndikon edhe te ana psikike e fëmijëve.

Këtë gjë për Syri.net Kosova e ka thënë edhe sociologu kosovar Labinot Kunushevci.

“Natyrisht që kjo ndikon negativisht në edukimin e fëmijëve, sado që mësimdhënësit e lëndëve kanë pak fleksibilitet dhe autonomi që t’i tejkalojnë pjesët e caktuara jo-adekuate të tekstit, por prapë se prapë nuk mund t’i ikin realizimit të planifikimeve mujore të cilat shpeshherë mbështeten në përmbajtjen e teksteve. Minimalisht mësimdhënësit duhet t’i vërejnë këto gabime dhe t’i tejkalojnë apo korrigjojnë në ligjërimet e tyre edhe pse kjo është shumë sfiduese dhe nganjëherë jashtë kompetencave të tyre” tha Kunushevci për Syri.net Kosova.

Gjithashtu, ai tha se kjo gjë ndikon të fëmijët për gjatë gjithë jetës së tyre.

“Më i keq është edukimi i gabuar se sa mosedukimi. Kur fëmija fillon të krijojë mendime dhe qëndrime të gabuara për kategori të caktuara, të vlerësojë me paragjykime dhe stereotipe, t’i përdorë termet pezhorative dhe fyese, ai bëhet konfuz. Pra, me këtë lloj edukimi ne po krijojmë konfuzitet tek fëmijët” janë fjalët e tij.

Madje, sociologu fajin e gjuajti te Ministria e Arsimit, për të cilët tha se kanë botuar e ribotuar tekste për dhjetëra vite pa asnjë korrigjim, duke mos dhënë për këtë indiferencë asnjë arsyetim. Pra, sipas tij, është më shumë demagogji dhe monopol i tyre, në kurriz të fëmijëve, në dëm të edukimit publik.

Nga ana tjetër, deri në intervenimin e shtetit, fëmijët janë të detyruar të edukohen në këtë formë. Shteti ndan miliona euro për tekste, por pavarësisht kësaj, gabimet e rënda mbesin dhe nuk po i heq askush, ndërsa autoritetet heshtin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat