Opozita në Lipjan akuzon kryetarin se ndikoi për të ngritur të birin në pozitë në KRU “Prishtina”

Kosova

Opozita në Lipjan akuzon kryetarin se ndikoi për të ngritur të birin në pozitë në KRU “Prishtina”

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 23:48
Imri Ahmeti

Partitë opozitare në Lipjan, Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, kanë akuzuar kryetarin e kësaj komune, Imri Ahmeti, se ka ndikuar politikisht për të ngritur në pozitë djalin e tij, për të marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së Shefit të Zyrës Ligjore në Ndërmarrjen Publike të Ujësjellësit “Prishtina”.

PDK-ja, përmes një komunikate, për media ka thënë se kryetari Ahmeti edhe një herë po e dëshmon se “nuk e ka hallin e qytetarëve, por hallin e rehatimit të familjarëve”.

“Skandalet në arsim, skandalet në shëndetësi, skandalet në ndërtime, skandalet në drejtësi tregojnë më së miri se si një kryetar i quajtur ‘jurist’ mendon vetëm për punësimin e familjarëve dhe militantëve të vet. Deri sa vendi ynë ballafaqohet me akuza, për luftën e drejtë çlirimtare, kryetari i komunës se Lipjanit e ka gajlen si ta avancoje djalin e tij në pozita, sepse ky njeri edhe në kohen e luftës së UÇK-së është munduar të rehatoje veten dhe të afërmit e vet”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndërkaq, Albulena Kelmendi, kuvendare në KK të Lipjanit nga radhët e LVV-së, përmes një reagimi ka thënë se në Kosovë që nga paslufta, “fenomeni i punësimeve partiake e familjare është bërë përditshmëri”.

“Pra, bëhet fjalë për zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët natyrshëm punësojnë, ose bëhen sebep për punësimin e familjarëve e militantëve. Kësisoj, lajmi për punësimin e djalit të kryetarit të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti në pozitë udhëheqëse në institucionin përkatës publik, nuk e habitë askënd. Pavarësisht trumbetimeve për luftim të korrupsionit e qeverisje të drejtë, dukuria e punësimeve në baza nepostiste e partiake e ka karakterizuar ndër vite e qeverisjes së z. Ahmeti”, ka kritikuar Kelmendi.

Sipas saj, “fenomeni i punësimeve të tilla, kur kriter kryesor bëhet afërsia me njerëzit në pushtet, e asnjëherë në bazë të meritokracisë, është ndër dëmtimet më të mëdha që i bëhet vendit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat