Izolimi nga pandemia/ Rritet numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë

Kosova

Izolimi nga pandemia/ Rritet numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë

Më: 22 nëntor 2020 Në ora: 22:39
Ilustrim

Pandemia, së bashku me masat i izolimit ka ndikuar që dhuna në familje të shtohet në nivel global e imune ndaj këtij trendi negativ nuk ka qenë as Kosova.

Derisa në vitin 2018 numri i rasteve të dhunës në familje ka qenë 1541 për tërë vitin, ky numër është tejkaluar në vitin 2020 për vetëm 7 muaj.

Gjatë vitit 2019 në Kosovë numri i rasteve të dhunës në familje ka qenë më i lartë sesa në vitin 2018 me gjithsej 1915 raste, por me trendin e tanishëm, ky numër do të tejkalohet në vitin 2020.

Viti 2018 ka pasur gjithsej 1541 raste të dhunës në familje ku numrin më të lartë të rasteve e ka pasur Prishtina me 442 raste, Gjilani me 221, e kështu me radhë derisa numri më i vogël i rasteve ka qenë në Mitrovicë të Jugut me 87 raste dhe Mitrovicë të Veriut me 51 raste.

Në vitin 2019, numri total i rasteve të dhunës në familje ka qenë 1915, ndërsa Prishtina edhe këtë vit ka pasur numrin më të madh të rasteve me 595 gjithsej.

Gjilani ka qenë e dyta me 209 raste, ndërsa Mitrovica e Jugut me 107 dhe Mitrovica e Veriut me 55 raste kanë qenë të fundit në listën e 7 qendrave të mëdha.

Trend negativ është vërejtur gjatë këtij viti ku vetëm në periudhën Janar-Shtator janë shënuar gjithsej 1571 raste të dhunës në familje, 30 më shumë sesa numri total i këtyre rasteve në vitin 2018 dhe 344 më pak sesa numri total në vitin 2019.

Rritje e ndjeshme e këtyre rasteve është vërejtur në Prishtinë ku vetëm për 7 muaj janë shënuar 535 raste të dhunës, ndërsa numri më i vogël i tyre ka qenë në Mitrovicën e Jugut me 112 dhe atë të veriut me 53 raste.

Ekspertët kanë pohuar se në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje ndikojnë faktorë të ndryshëm si problemet martesore e familjare, shkaqet ekonomike por kanë pohuar gjithashtu se pandemia ka ndikuar për të keq në këto statistika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat